Foto: KALLXO.com

Arsyetimi i gjykatës pas lirimit nga akuza të ish drejtorit të Kadastrit në Mitrovicën e Veriut

Në shkurt të këtij viti gjykata e Mitrovicës ka shpallur aktgjykim me anë të se cilit e ka liruar nga akuza të pandehurin Branislav Klajiq.

Klajiq akuzohej nga prokuroria e Mitrovicës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, derisa ishte drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadaster në komunën e Mitrovicës së Veriut.

Njëzet faqe arsyetim i janë dashur gjyqtarit Bekim Veliqi për të arsyetuar aktgjykimin të cilin e kishte shpallur me një shkurt, e ku sipas tij nga akuza e prokurorisë ishte liruar i pandehuri Klajiq.

I dëmtuar në këtë rast kishte qenë Izet Maxhera i cili sipas akuzës së prokurorisë kishte pësuar dëm prej 67,061.22 euro për shkak se nuk kishte arritur ta regjistroj si pronë të vetën një lokal i cili gjendet në Mitrovicën e Veriut, e të cilën pronë e kishte blerë nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit (AKP), kurse Klajiq akuzohej se kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare pasi nuk kishte mundësuar regjistrimin e kësaj prone.

KALLXO.com ka siguruar aktgjykimin e gjykatës se Mitrovicës, përmes së cilit janë dhënë arsyet e lirimit të të pandehurit Klajiq nga akuza.

Gjykimi ndaj Klajiqit kishte filluar në dhjetor të vitit 2019 me mbajtjen e seancës së shqyrtimit fillestar, ku i pandehuri Branislav Klajiq ishte deklaruar se nuk ndihej fajtor për veprën me të cilën akuzohet nga prokuroria e Mitrovicës.

Por paraprakisht në nëntor të vitit 2019, gjyqtari i rastit Bekim Veliqi e kishte dërguar në plotësim akuzën e prokurorisë së Mitrovicës për shkak se gjykata kishte vlerësuar se akuza kishte nevojë për plotësim, precizim dhe korrigjim të akuzës.

Pas procedimit të provave materiale dhe atyre personale gjykata ka konstatuar se pas vlerësimit të tyre nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”.

Gjykata e Mitrovicës nuk e ka kontestuar faktin se në kohën kur është parashtruar kërkesa për regjistrim të paluajtshmërisë, i akuzuari Klajiq ka qenë në pozitën e drejtorit për Kadastër dhe Gjeodezi pranë zyrës Administrative për Mitrovicën Veriore e që ishte bartës i kësaj pozite edhe pas formimit të komunës së Mitrovicës Veriore, e deri në vitin 2017.

Kurse i dëmtuari Izet Maxhera lokalin në veri të Mitrovicës e kishte blerë nga AKP-ja dhe kishte bërë kërkesë pranë zyrës administrative në Mitrovicë në Veri për regjistrimin e pronës, por siç thuhet edhe në akuzë zyra komunale kadastrale kishte bërë heshtje administrative në kërkesën e parashtruar nga Maxhera.

Me pas Maxhera pas heshtjes administrative kishte bërë përsëri kërkesë për regjistrimin e pronës në Agjencionin Kadastral të Kosovës ku edhe këta të fundit nuk kanë marr obligim ligjor dhe bëjnë edhe këta heshtje administrative.

Tutje në aktgjykimin e siguruar nga KALLXO thuhet se prona e cila është objekt i akuzës kishte qenë e uzurpuar e që vërtetohej nga kontrata mbi shitblerjen e pronës.

Mirëpo i dëmtuari Maxhera përmes zyrës së ndërmjetësimit kishte arritur marrëveshje me dy palët, ku ishte liruar vetëm një pjesë e pronës të cilën po e kërkonte Maxhera.

Por i dëmtuari Maxhera nuk kishte arritur të bëjë marrëveshje përmes qendrës së ndërmjetësimit me një palë tjetër për objektin që është çështje e aktakuzës, në veri të Mitrovicës.

Të gjitha të lartcekurat janë fakte të cilat nuk janë kontestuar nga gjykata por që sipas aktgjykimit “të gjitha këto prova gjenden në shkresat e lëndës dhe të njëjtat janë administruar në seancën e shqyrtimit gjyqësor, por këto fakte nuk e vërtetojnë se në veprimet apo mosveprimet e të pandehurit konsumohen elementet e veprës penale siç thuhet në akuzë”, shkruan në aktgjykimin e gjykatës së Mitrovicës.

Prokuroria e Mitrovicës në dispozitivin e aktakuzës kishte theksuar faktin se Agjencioni Kadastral kishte nxjerr konkluzion, ku kishte konstatuar se Drejtoria për Urbanizëm, Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Mitrovicës – Veri ka bërë “heshtje administrative në kundërshtim me Ligjin për Themelimin e regjistrit të drejtave të pronës së paluajtshme”, dhe ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet i pandehuri Klajiq.

Në vendimin e gjykatës së Mitrovicës thuhet se akuza e ngritur nga prokuroria nuk ka arsyetuar dhe as provuar nëpërmjet provave bindëse për gjykatën, lëshimin që ka bërë i akuzuari rreth mospërmbushjes së detyrës zyrtare të tij dhe se pikërisht kjo mospërmbushje e detyrës a ka qenë e qëllimshme dhe që t’i shkaktoj dëm palës së dëmtuar.

Tutje në aktgjykim thuhet se përshkrimi faktik i akuzës ka qenë i paqartë duke ju referuar fakteve të cilat nuk kanë qenë fare kontestuese dhe për të cilët sipas gjykatës nuk është dashur ndonjë sqarim shumë i madh për to.

Ndërsa dashjen e të akuzuarit për kryerjen e veprës penale, sipas gjykatës e ka lënë fakt pa mbështetje në prova konkrete dhe bindëse dhe pa mbështetje ligjore.

I dëmtuari në këtë rast Izet Maxhera kishte bërë disa kërkesa për regjistrimin e pronës së tij të cilat kishin rezultuar të pa suksesshme, pasi kërkesa në zyrën administrative në Mitrovicë – Veri dhe me pas Drejtoria për Urbanizëm, Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Mitrovicës Veriore (të dyja kishin bërë heshtje administrative) kurse nga Agjencioni Kadastral i Kosovës nuk kishte marr përgjigje.

Gjykata e Mitrovicës ka konstatuar se bazuar në ligjin për kadastër Zyra Kadastrale e komunës i zbaton vendimet e Agjencionit Kadastral të Kosovës.

“Nëse ZKK-ja nuk e bën ekzekutimin, atëherë ekzektumin e vendimit e bën AKK-ja”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Kurse në rastin konkret pala e dëmtuar i ishte drejtuar AKK-së me kërkesë për regjistrimin e pronës për shkak se  ZKK-ja nuk ka marr vendim lidhur me aprovimin apo refuzimin e kërkesës së tij, por as nga AKK-ja nuk ka marr ndonjë përgjigje lidhur me kërkesën e tij për regjistrimin e pronës.

Andaj gjykata e Mitrovicës ka konstatuar se “mos zbatimi i Konkluzionit të AKK-së” nga Drejtoria për Urbanizëm Kadastër dhe Gjeodezi, nuk mund t’i vishej të akuzuarit Klajiq si element i veprës penale.

Pasi që vendimet e AKK-së duhej të zbatoheshin nga ZKK-ja, por që një vendim i tillë nuk është marrë as nga AKK-ja, thuhet në vendimin e gjykatës. Me çka sipas gjykatës rezulton se edhe AKK-ja ka bërë heshtje administrative me mos veprim në kërkesën e palës parashtruese.

Ndërsa sipas provave të administruara në seancën e shqyrtimit gjyqësor gjykata ka vënë re se edhe AKK-ja kishte herë heshtje administrative, pasi që pala e dëmtuar Izet Maxhera i ishte drejtuar këtij institucioni për regjistrimin e pronës por që këta të fundit nuk kishin ndërmarr asnjë veprim lidhur me kërkesën e paraqitur nga ai, dhe sipas gjykatës pasi AKK-ja ka pasur parasysh se ZKK-ja kishte refuzuar dy herë radhazi kërkesën e të dëmtuarit për regjistrimin e pronës, Agjencioni Kadastral ka pasur të drejtën ligjore që vetë të shqyrtoj kërkesën e të dëmtuarit dhe të vendos lidhur me të, gjë të cilën gjykata e kishte vërtetuar edhe përmes dëshmisë së dëshmitarit I.K., Drejtor i Drejtoratit Ligjor të AKK-së.

Andaj sipas vendimit për lirimin nga akuza të Branisllav Klajiq lidhur me elementin e veprës penale të keqpërdorimit të cilën prokuroria e ka potencuar në akuzë që është “mos përmbushje e detyrës zyrtare” duke ndërlidhur me “heshtjen administrative” dhe “mos zbatim të konkluzionit nga AKK-ja”, ka gjetur se ky element nuk mund ti mveshet të akuzuarit pasi që pikërisht “heshtja aministrative” dhe “mos respektimi i konluzionit nga AKK-ja”, kanë qenë shkelje ligjore në procedurën administrative dhe jo shkelje të ligjit penal.

Andaj nga duke u mbështetur në këto fakte trupit gjykues me kryetar Bekim Veliqi, të pandehurin Klajiq e kishin liruar nga akuza.

Sipas Prokurorisë së Mitrovicës, Klajiq akuzohej se prej vitit 2013 e tutje, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Mitrovicës Veriore nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër.

Tutje në aktakuzë thuhet se pasi i dëmtuari Izet Maxhera, në vitin 2012, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, kishte blerë një lokal afarist “Teuta Bare”, në rrugën “Ivo Lola Ribar”, e cila gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës, kishte bërë kërkesë në Zyrën Kadastrale të kësaj Komune për të regjistruar pronën dhe pasi nuk kishte marrë përgjigje i ishte drejtuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) për regjistrimin e pronës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, AKK-ja kishte sjellë konkluzion se Drejtoria për Kadastër në Komunën e Mitrovicës Veriore kishte bërë heshtje administrative në kundërshtim me Ligjin për themelimin e regjistrit të drejtave të pronësisë së paluajtshme.

Kurse i pandehuri Branisllav Klajiq nuk e kishte zbatuar vendimin e AKK-së dhe të dëmtuarit Izet Maxhera i kishte shkaktuar dëm në vlerë prej 67,061.22 euro.