Arsyetimi i Gjykatës për dënimin me gjobë të asamblistes së Gjakovës

Në korrik të këtij viti, Gjykata e Gjakovës e ka dënuar me 400 euro gjobë Drita Zhavelin, për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë.

Këtë dënim, e pandehura ishte obliguar që ta paguante brenda afatit kohor prej 15 ditësh. Asaj i është caktuar edhe pagesa prej 60 eurove për shpenzimet procedurale.

Prokuroria akuzonte Drita Zhavelin se në cilësinë e këshilltares në Asamblenë Komunale në Gjakovë, nuk e ka kryer obligimin e saj për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion në Prishtinë.

Aktakuza e këtij rasti është ngritur më 20 gusht të vitit 2019.

Ndërsa, më 14 korrik 2020, ajo kishte pranuar fajësinë, duke thënë që koha e raportimit të pasurisë së saj kishte kaluar sepse kishte qenë e sëmurë.

Në aktgjykimin e publikuar në faqen e Gjykatës, gjykatësi Drilon Haraçia ka treguar edhe rrethanat që janë marrë për bazë me rastin e shqiptimit të dënimit, i cili dënim ka qenë i vlerësuar në përmbushjen e elementeve të veprës penale.

Gjatë dhënies së këtij aktgjykimi, Gjykata duke mos gjetur rrethana rënduese, kishte rezultuar se edhe me dënimin me gjobë do të arrihej efekti dhe qëllimi i dënimit.

Ndërsa, si rrethanë lehtësuese, Gjykata ka vlerësuar pranimin e fajësisë dhe kërkimfaljen nga ana e të akuzuares si dhe faktin se e njëjta më parë nuk kishte qenë e dënuar.

Mirëpo, kundër këtij aktgjykimi palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.

Prokuroria pretendon se Drita Zhaveli, në cilësinë e këshilltares në Asamblenë Komunale në Gjakovë, nuk e ka kryer obligimin e saj për deklarimin e pasurisë së saj në Agjencinë Kundër Korrupsion në Prishtinë.

Në aktakuzë thuhet se ky obligim është i paraparë për të gjithë zyrtarët e lartë publikë edhe përkundër faktit se e njëjta ka qenë e informuar paraprakisht dhe në dijeni për obligimin e pasurisë.