CNN: Pse serbët etnikë i sulmuan paqeruajtësit e NATO-s në Kosovë

Rrjeti më i madh televiziv amerikan dhe ndërkombëtar, CNN, i ka kushtuar dje një artikull zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës. 

Pas zhvillimeve të dhunshme në veriun e Kosovës gjatë dy ditëve të kaluara, CNN shkruan se dhjetra paqeruajtës të NATO-s kanë mbetur të plagosur pasi u sulmuan nga serbët etnikë në veri të Kosovës, gjatë protestave për vendosjen e kryebashkiakëve me etni shqiptare.

Pas zgjedhjeve të diskutueshme të cilat u mbajtën në muajin prill pasi paraprakisht pjestarët e minoritetit serb i kishin braktisur institucionet e Kosovës dhe qeveria e Kosovës i kishte shpallur zgjedhjet komunale në këtë rajon, duke protestuar dhunshëm, demonstruesit serbë u përpoqën t’i bllokonin kryetarët e sapozgjedhur të komunave nga marrja e detyrës në qytetet e veriut të Kosovë.

Ndërkohë që kjo lloj dhune kundër paqeruajtësve është e rrallë, tensionet janë rritur në rajon muajt e fundit, të nxitura nga përçarje të thella historike.

Çfarë e shkaktoi këtë valë të re të dhunës?

Në muajin mars, Serbia dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje të re në Ohëi, Maqedonia e Veriut, që kishte si qëllim sërish normalizimin e marrëdhënieve. Mirëpo, kjo u pasua nga zgjedhjet e diskutueshme lokale në katër komuna të veriut të Kosovës, ndërkohë që presidenti serb Aleksandar Vuçiq u bëri thirrje serbëve etnikë në rajon që të bojkotojnë zgjedhjet, duke thënë se ata nuk duhet të tolerojnë edhe më tutje një “pushtim” të huaj.

Lista Serbe, partia kryesore politike në këtë rajon, i bëri thirrje komunitetit serb që të mos dalin dhe votojnë në zgjedhje dhe kandidatëve të tij të mos kandidojnë – duke i lënë kandidatët etnikisht shqiptarë të garojnë të vetëm duke mos u sfiduar nga asnjë kandidat nga ana e minoriteti serb.

Nga frika e dhunës së mundshme, komisioni qendror zgjedhor i Kosovës ndryshoi planet për vendosjen e kabinave të votimit në shkollat lokale, në vend të kësaj duke ngritur kabina të lëvizshme të patrulluara nga paqeruajtësit e NATO-s.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati deklaruar se ka pasur një “fushatë kërcënuese të orkestruar nga Beogradi dhe të ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga grupet kriminale”.

Pas mbylljes së qendrave të votimit, zyrtarët zgjedhorë thanë se vetëm rreth 1,567 qytetarë me të drejtë votë kishin votuar në të katër komunat – një pjesëmarrje prej 3.5%, sipas mediave lokale.

Pjesëmarrja e vogël ishte një shenjë e suksesit të bojkotit në këto rajone me shumicë serbe. Komuna e Zveçanit ka rreth 16,800 banorë. Prej tyre, më shumë se 16,000 janë serbë etnikë – me vetëm rreth 500 shqiptarë etnikë.

Kryetari i sapozgjedhur shqiptar në Zveçan ka fituar postin e kryetarit të komunës me pothuajse 100 vota, duke shkaktuar thirrje se, kësisoji, autoriteti i tij është i paligjshëm.

Çfarë ndodhi të hënën?

Protestuesit etnikë serbë hodhën kokteje molotovi mbi trupat e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe përdorën dhunë përmes shkopinjve ndërkohë që paqeruajtësit mbronin zyrën komunale në Zveçan.

Një komunikatë e lëshuar nga KFOR thotë se 30 prej paqeruajtësve të tij – kryesisht nga kontingjentet e tij italiane dhe hungareze – janë plagosur.

Ushtarët kanë pësuar “thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara”, ndërsa tre ushtarë janë “plagosur nga përdorimi i armëve të zjarrit”, sipas KFOR-it.

Misioni paqeruajtës I NATO-s ka thënë se e ka rritur praninë e tij në veri të Kosovës pasi kryetarët e sapozgjedhur të komunave me etni shqiptare morën detyrën në shumicën e zonave serbe të Kosovës. Qëllimi i tij ishte ta “zvogëlojë rrezikun e përshkallëzimit”, thuhet në komunikatën e KFOR-it, mirëpo trupat paqëruajtës “më pas u sulmuan nga turma gjithnjë e më agresive”.

Kryeministri Kurti i ka dënuar “sulmet e egra” ndaj paqeruajtësve. “Në një demokraci, nuk ka vend për dhunë fashiste – jo thirrje nga vota në plumba”, ka shkruar Kurti në Tëitter të hënën.

Në një deklaratë, kryeministrja serbe Ana Brnabiq tha se situata në veri të Kosovës “nuk ka qenë kurrë më e vështirë”.

Cili ka qenë reagimi?

Udhëheqësit evropianë ishin të shpejtë për ta dënuar dhunën. Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, ka deklaruar se ka pasur kontakte me Kurtin dhe Vuçiqin dhe ka kërkuar nga “të dyja palët që të marrin urgjentisht masa për t’i de-përshkallëzuar tensionet menjëherë dhe pa kushte”.

Duke folur në një konferencë për media të martën në Bruksel, Borrell tha se BE-ja “e dënon në termat më të ashpër dhunën në veri të Kosovës që kemi parë në ditët e fundit”.

Ministria e Jashtme e Francës ka lëshuar një deklaratë përmes së cilës thotë se “është më rendësi se asnjëherë më parë që Prishtina dhe Beogradi të tregojnë përgjegjësi duke u kthyer në tavolinën e bisedimeve me një qëndrim kompromisi në shërbim të paqes dhe prosperitetit të qytetarëve serbë dhe kosovarë”.

Ndërsa liderët evropianë përpiqen ta arrijnë një ekuilibër të kujdesshëm midis dy vendeve, vendet e tjera kanë dalë në mbrojtje të Serbisë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Mao Ning deklaroi të martën se qeveria kineze “i mbështet përpjekjet e Serbisë për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial” dhe i bëri thirrje Prishtinës që të themelojë komuna me shumicë serbe.

Çfarë do të ndodhë tash e tutje?

NATO ka marroë vendim që të dërgojë forca shtesë në Kosovë pas përleshjeve të së hënës, sipas një deklarate të bërë të martën.

Kryeministri i Kosovës Kurti i tha CNN të martën se ai nuk do t’ia dorëzojë vendin asaj që ai e përshkroi si “milici fashiste”.

I pyetur nga CNN nëse qeveria e tij planifikon t’i dëgjojë thirrjet për tërheqjen e policëve kosovarë nga komunat veriore të vendit me rritjen e tensioneve, Kurti deklaroi: “Përderisa ka një turmë të dhunshme jashtë ndërtesës, unë nuk mund t’i kem atje vetëm disa policë. Më duhet të kem polici që do ta mbrojë sundimin e ligjit, që do ta mbajë rendin, qetësinë dhe sigurinë dhe komuna duhet të jetë për të gjithë.”

Dhuna në Kosovë vjen në një moment të pasigurt politik në Beograd. Serbia është tronditur në fillim të këtij muaji pasi dy incidente me të shtëna masive lanë të vrarë dhjetëra njerëz, kryesisht fëmijë.

Mirëpo ajo që nisi si vigjilje me qirinj për të vrarët shpërtheu në protesta të plota kundër qeverisë së Vuçiqit dhe “kulturës së dhunës” mbi të cilën ajo ka mbizotëruar.

“Asnjëherë më parë nuk e kam parë (Vuçiçin) kaq nervoz,” thotë Bosko Jakshiq, komentator i politikës së jashtme në Beograd. “Menaxhimi i tij i krizës nuk po funksionon.”

Megjithatë, kriza në Kosovë mund t’i sigurojë Vuçiqit, i cili shpesh e ka përdorur nacionalizmin serb si një thirrje për përkrahësit e tij, një lehtësim të mirëpritur.

Ndërkohë që rrugët e Beogradit kohët e fundit janë përmbytur nga ata që protestojnë kundër “kulturës së dhunës” të Serbisë, demonstruesit nacionalistë u shfaqën në rrugë të martën për të protestuar jashtë ambasadave franceze dhe gjermane, ndërkohë që mbështetësit e Vuçiqit e kthyen zemërimin e tyre ndaj promotorëve evropianë të pavarësisë së Kosovës.

Në komentet e së martës, Vuçiq ngjalli frikën se dhuna në Kosovë mund të përbëjë kërcënim për serbët etnikë në rajon, duke thënë se Serbia ka “shqetësim për mbijetesën dhe sigurinë e serbëve në Kosovë”.

“Kosova po e ndihmon atë”, thotë Jakshiq. “Ai po e ngrit pozicionimin e tij patriotik në Kosovë. Është një mbrojtës i madh i çështjes serbe. Është shpëtimtari i popullit serb… E gjithë ajo retorikë që e kemi dëgjuar disa herë më parë po përdoret përsëri. Dhe ka shumë njerëz që po e besojnë një gjë të tillë.”/CNN

Përgatiti: Nuhi Shala