Çmontohen mbi 200 kamera ilegale në Tiranë
65 kamera të sigurisë, të vendosura në kundërshtim me ligjin janë çmontuar në Tiranë nga Policia e Shtetit në bazë të operacionit mbarëkombëtar, të koduar “Fijet”, duke e çuar numrin total të kamerave të çmontuara në 220.
Policia e Shqipërisë ka njoftuar se janë iniciuar hetimet edhe për 7 shtetas për ndërhyrje të padrejta në jetën private. 44 është gjithsej numri i shtetasve, ndaj të cilëve janë iniciuar hetime të thelluara.
“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave, në disa lagje të Tiranës, me qëllim sigurimin e informacioneve, për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë organizuar punën për evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit” – thuhet në njoftim.
Kamerat janë çmontuar në Rrugën e Vilave, “Azem Hajdari”, “Azem Galica”, “Europa”, “Sabri Preveza”, “Sarina”, “Staf Melani”, “Ali Kelmendi”. Ndërsa, hetimet janë iniciuar për personat me inicialet I. D., J. M., A. P., E. L., M. B., F. Ll. (L)., F. A., L. Rr., dhe I. K.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit më 14 janar ka njoftuar edhe për çmontimin e 21 kamerave në Shkodër.