A lejohet vendosja e kamerave në lokale dhe në banesa kolektive?
Arbian Arifi, inspektor në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar se cilat janë kriteret të cilat duhen zbatuar për të vendosur kamera të sigurisë në objekte dhe lokale.
“Në banesa kolektive duhet të merret 70% pëlqimi i pronarëve të banesave, pra nuk mund të vendosim një kamerë, kemi raste kur investitorët kanë vendosur kamera dhe nuk i kanë pyetur banorët, por kemi raste kur edhe banorët janë organizuar dhe janë bërë 70% ose 100% e tyre dhe kanë dhënë pëlqimin dhe kanë vendos kamera”- ka thënë Arifi.
Ndërsa për vendosjen e kamerave në lokale inspektori ka bërë të ditur se vendimi duhet të merret nga pronari dhe vendosja e shenjës është obligative.
“Vendosja e shenjës është kryesore, njoftimi i stafit, të vendoset shenja, në të cilën duhet të jenë disa kritere: të tregohet se kush është kontrolluesi, të kemi një adresë kontakti ku unë si subjekt i të dhënave duhet të dijë se kujt t’i drejtohem për t’i realizuar të drejtat e mia, të vendoset afati i ruajtjes, afati maksimal është 30 ditë dhe vetëm në rastet se është ndonjë interes shumë legjitim mund të ruhen mbi 30 ditë dhe qëllimi pse janë të vendosura”- ka treguar Arifi.
Inspektori gjithashtu ka bërë të ditur se vetëm Policia e Kosovës ka të drejtë të vëzhgojë hapësirat publike.