Foto: Policia e Shtetit/ Facebook

Policia e Shtetit: Çmontohen 21 kamera të vendosura në shtyllat elektrike në Shkodër, shërbenin për të kuptuar lëvizjet e policisë

Policia e Shtetit ka çmontuar 21 kamera të vendosura në shtyllat elektrike në Shkodër.

Sipas Policisë në Shqipëri, kamerat e vendosura nga persona apo grupe kriminale kishin për qëllim edhe marrjen e informacionit për lëvizjet e Policisë.

“Strukturat hetimore të DVP Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për vendosjen e disa kamerave në shtyllat elektrike, në aksin rrugor “5 Heronjtë”, deri në bypassin e Shkodrës, dhe nga “5 Heronjtë”, deri të rrethrrotullimi i Dobraçit, me qëllim mbledhjen e informacionit për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë organizuar punën për identifikimin e personave që kishin vendosur këto kamera dhe çmontimin e tyre”- deklaron policia.

Në njoftim, bëhet e ditur se strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë në Shkodër, kanë çmontuar dhe sekuestruar 21 kamera të lidhura nëpërmjet celularit, nga të cilat 8 të instaluara në vende dhe sheshe publike.

“Mbështetur nga shërbimet operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, strukturat hetimore të DVP Shkodër kanë çmontuar dhe sekuestruar 21 kamera të lidhura nëpërmjet celularit, nga të cilat 8 të instaluara në vende dhe sheshe publike, në aksin rrugor nga rrethrotullimi “5 Heronjtë” deri tek rrethrrotullimi i parë i bypassit të Shkodrës, ndërsa 13 të tjera të instaluara në aksin rrugor nga rrethrrotullimi “5 Heronjtë” deri te rrethrrotullimi i Dobraçit”- thotë Policia e Shtetit.

Policia e Shtetit thekson se kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente.

“Vendosja e tyre është në kundërshtim me Ligjin 9887, datë 10.03.2008 “Mbrojtja e të dhënave personale” dhe përbën veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal”- thuhet mes tjerash në njoftim.

Më tej, Policia thotë se në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin e personave që kanë instaluar kamerat dhe për zbardhjen e plotë të qëllimit të vendosjes së atyre kamerave.