Çka përcakton rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës që pret miratimin e deputetëve

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Adnan Rrustemi, në seancën e sotme ka prezantuar Rregulloren e re të Kuvendit të Kosovës.

Rrustemi tha se pas shqyrtimit të parë janë munduar t’i adresojnë të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet dhe tani sipas tij amendamentet i kanë sjellë për shqyrtim e miratim.

“Gjatë punës jemi përpjekë t’i harmonizojmë qëndrimet politike. Nuk mëtojmë që është draft ideal, por është drafti më i mirë i mundshëm marrë parasysh gjithë faktorët që e përcjellin këtë proces”, tha Rrustemi.

Ai ka lexuar edhe ndryshimet kryesore që i sjell projekt rregullorja.

“Përcakton procedurat për seancën konstituive të Kuvendit në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 duke sqaruar procedurat e kryesimit të seancës konstituive, nominimin dhe zgjedhjen e kryetarit, përcakton mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarëve, përcakton procedurën e nominimit të nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë, sqaron momentin e konstituimit të Kuvendit me zgjedhjen e kryetarit edhe nënkryetarëve”, tha ai.

Rrustemi tha se rregullorja përcakton edhe çështjen e betimit të deputetëve.

“Sqarohet roli i kryetarit të Kuvendit për thirrjen e seancës plenare dhe propozimin e rendit të ditës për seancën plenare në rast të mungesës së kuorumit në kryesi të Kuvendi. Përcakton përgjegjësinë e deputetit për të marr pjesë në punime të Kuvendit pa e kufizuar mandatin e lirë të përcaktuar në Kushtetutë”, tha Rrustemi.

Rrustemi tregoi se kjo rregullore mundëson që me akt të veçantë të nxjerr nga Kryesia e Kuvendit, të përcakton kushtet dhe mënyrat e administrimit të pjesëmarrjes dhe të kompensimit të pjesëmarrjes së deputetit në mbledhje të grupit punues, komisionit apo seancës plenare.

“Zgjerohet koha për deklarimet e deputetëve nga 30 në 40 minuta, duke u dhënë më shumë kohë deputetëve dhe grupeve parlamentare të shprehin qëndrimet e tyre ndaj zhvillimeve politike dhe të adresojnë shqetësimet e qytetarëve”, tha Rrustemi.

Sipas tij përmes kësaj rregullore, mundësohet edhe organizimi i seancave të veçanta për pyetje parlamentare në rastet kur ka numër të madh të pyetjeve parlamentare dhe një gjë e tillë vlerësohet nga kryesia.

Rrustemi ka lexuar edhe një sërë ndryshimesh që janë bërë në draft rregulloren dhe në emër të komisionit ka kërkuar që kjo rregullore të miratohet.

Shqyrtimi i dytë i Projekt-rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës pritet të votohet gjatë kësaj seance.

Kuvendi i Kosovës tash e një kohë ka tentuar të miratojë një rregullore të re të punës, e cila është vlerësuar si tejet e domosdoshme për funksionimin e mirëfilltë të legjislativit.