Cilat pajisje të reja do të instalohen në dhomën e përgjimeve të telefonave?

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është duke investuar në Dhomën e Përgjimeve në Telekomin e Kosovës.

Në një intervistë me Jeta Xharrën ai ka thënë se dy projektet për investimin në pajisje, shërbime dhe në Dhomën e Përgjimeve kushtojnë rreth 4.2 milionë euro.

“Procesi i pajisjeve dhe shërbimeve të tjera që kanë të bëjnë me implementim bashkë me Dhomën e Përgjimeve është një projekt që është i përbashkët, është diku rreth 4.2 milionë euro. Këto dy projekte të cilat bashkë me procesin e mirëmbajtjes në të ardhmen. Ne jemi duke investuar në pajisje të cilat i mundësojnë nesër me performu më mirë”, ka shtuar Kuçi.

Ministri Kuçi ka thënë se pajisjet në Dhomën e Përgjimeve janë vjetruar.

Më tej ai ka thënë se përgjimet janë duke ndodhur por ky investim ka të bëjë me familjarizimin dhe harmonizimin e instrumenteve të përgjimeve me Policinë dhe AKI-në.

Ai në intervistën përballë Jeta Xharrës ka dhënë lajmin se për herë të parë qe një kohë të gjatë Telekomi i Kosovës është duke performuar pozitivisht.

“Sa për informatën tuaj, për herë të parë Telekomi në muajt e fundit ka performuar pozitivisht, i kanë ulë shpenzimet dhe i kanë rritur të hyrat. Pagat po ulen gradualisht, do të ketë një strukturim të dhimbshëm. Ka pasur punëtorë që fare nuk kanë shkuar në punë. Nuk ka me pas punësime të reja”, ka thënë ministri Kuçi.

Dhoma e Përgjimeve brenda Telekomit të Kosovës ishte shndërruar në lajm kryesor në muajin maj të këtij viti.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte deklaruar se zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, Haki Abazi dhe Xhelal Sveçla, kanë hyrë në Dhomën e Përgjimeve në Telekomin e Kosovës për 3 ditë rresht duke e shkelur ligjin.

Sipas Thaçit, Kurti, Abazi e Sveçla e kanë ndalur kamerën dhe janë futur brenda për 3 ditë rresht.

Kurti i ka quajtur gënjeshtra deklarimet e Thaçit.

“Problemi me kundërshtarët është që nuk mund të gënjejnë vetëm një herë, ato janë shpifje. Duket që protagonistëve të aferës Pronto ju ka ngelur mendja te përgjimet atëherë kur e ushtronin italishten e mafiozëve. Të mos humbim kohë sepse dëshirat po i përshkruajnë si fakte, ata kanë dëshirë të hynë ne dhomën e përgjimeve”, kishte deklaruar Kurti para gazetarëve.

Prokuroria e Shtetit në maj kishte njoftuar se kishte filluar që të grumbullojë informacione në lidhje me akuzat e ish-presidentit Hashim Thaçi, se tash ish-kryeministri Albin Kurti, ish-zv.Kryeministri Haki Abazi dhe ish U.D i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës për tri ditë rresht.