Blerim Kuçi. Foto: Fatrion Ibrahimi/KALLXO.com

Agjencia Kundër Korrupsion vendos lidhur me tenderin që e fitoi kompania e Ministrit Blerim Kuçi

Agjencia Kundër Korrupsion ka vendosur për rastin e Ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, në lidhje me tenderin 5 milionësh për ndërtimin e spitalit “Nëna dhe Fëmija” në Prizren.

Sipas Agjencisë Kundër Korrupsion ky tender nuk ka pasur konflikt interesi në ushtrimin e funksionit publik si ministër i Ekonomisë dhe Ambientit.

Në vendim thuhet se kontrata nuk është fituar brenda institucionit ku Kuçi është ministër dhe prandaj nuk paraqet konflikt interesi.

“AKK  ka konstatuar se në këtë rast biznesi privat NPN “Hidroterm” sh.p.k, nuk ka fituar kontratë brenda institucionit ku zyrtari i lartë ushtron funksionin publik, e që në kuptim të nenit 13, paragrafi 3, të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, një kufizim të tillë vlen vetëm brenda institucionit të nivelit qendror dhe lokal, ku zyrtari i lartë ushtron detyra publike. Gjithashtu dokumentet dhe kontrata në fjalë janë nënshkruar nga personi i besuar (personi i autorizuar) i biznesit në fjalë. Prandaj në rastin konkret, Agjencia Kundër Korrupsion konstaton se nuk ka prova me të cilat vërtetohet ekzistimi i situatës së konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik për zyrtarin e lartë, subjekt i trajtimit për konfliktin e mundshëm të interesit”, thuhet në vendimin e AKK-së.

Muajin e kaluar është raportuar në media se “Hidroterm” Sh.P.K. ka fituar tenderin publik të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) për “ndërtimin e objektit spitalor për nënën dhe fëmijën në Prizren”. Vlera e kësaj kontrate kap shifrën e 4 milionë e 900 mijë eurove.

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, është deklaruar në emisionin “Jeta në Komunë” lidhur me kontratën që ka nënshkruar kompania në pronësi të tij, “Hidroterm Sh.P.K”.

Kuçi kishte thënë se në kohën kur ka konkurruar për këtë projekt nuk ka qenë as ministër e as deputet dhe gjatë kohës sa është duke ushtruar detyrën e ministrit nuk ka aplikuar në asnjë tender që rrjedh nga buxheti i Kosovës e as si kryetar komune.

“Nuk ia dhash vetit këtë tendër. Kjo ka ndodhë, në procesin e qeverisë Hoti, kur nuk jam kanë deputet as ministër. E keqja jem në këtë shoqëri sidomos mediale, aty ku jam unë iu kanë pre disave edhe interesat e këqija, sepse une jetoj prej kompanisë tem ashtu si punëtorët dhe jam shumë transparent. Jam anku në OShP edhe kam dasht me dal edhe në media, se mu po me bëhet e padrejtë se nuk jam marrë parasysh si kompani referencat e mia në Mal të Zi. KRRP ka ndërhy ka thanë nuk ki drejtë ti mos me ja marrë parasysh jashtë shteti. Referencat e kompanisë jashtë shtetit nuk kanë hyrë OShP nuk ka dasht si të hyra të qarkullueshme”, ishte shprehur Kuçi.

Ndaj Kuçit, Agjencia Kundër Korrupsion kishte filluar hetimet në muajin nëntor të vitit 2020.