Kuçi takon akterët e sektorit pas pavarësimit energjetik, flet për kapacitetet e reja gjeneruese

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka mbajtur takimin e parë për vitin 2021 me akterët e sektorit të energjisë: Korporatën Energjetike të Kosovës, Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit të energjisë elektrike të Kosovës, KEDS dhe KESCo.

Sipas një njoftimi për media, ky ishte takimi i parë mes këtyre akterëve pas pavarësimit energjetik të Kosovës, si rezultat i Marrëveshjes së Kyqjes mes KOSTT dhe Rrjetit Europian të Transmisionit ENTSO-E.

2020, ku është dëshmuar edhe ndaj Swissgrid-it që Kosova është e aftë të operojë në zonë të përbashkët rregulluese Kosovë-Shqipëri.

Kjo marrëveshje për Kosovën ka shumë dobi të cilat vetëm se kanë filluar të ndjehen, sipas kryeshefit të KOSTT, Mustafë Hasani.

“Kosova tashmë është palë e barabartë me rrjetet tjera të transmisionit në Europë, gjithashtu operojmë si Zonë e përbashkët Rregulluese Kosovë-Shqipëri dhe kemi filluar të inkasojmë të hyrat nga energjia transite, që më parë janë marrë nga operatori serb”, ka thënë Mustafa.

Në anën tjetër, kryeshefi i KEK-ut, Luigj Imeri tregoi se në ditën e fundit të fazës tranzitore, më 31 dhjetor 2020, ka pasur një defekt në njërin prej blloqeve të KEK-ut, por është evituar shumë shpejtë dhe në bashkëpunim me KOSTT e kanë stabilizuar energjinë elektrike që shkon tek konsumatorët.

Në krahasim me natën e ndërrimit të mot-moteve 2019-2020, ky ndërrim i mot-moteve 2020-2021, sipas Bujar Jupajt nga KEDS, ka qenë më i stabilizuar duke iu falënderuar motit të butë dhe gatishmërisë së ekipeve në terren.

Petrit Pepaj, drejtor i ZRRE-së, lavdëroi gjithashtu punën e gjithë hallkave që mundësojnë furnizimin me energji elektrike, duke potencuar se Kosova është vonuar në instalimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.

Në fund ministri Blerim Kuçi duke u ndërlidhur me fjalën e drejtorit të ZRRE-së, ka folur për kapacitetet e reja gjeneruese.

“Jemi në rregull me kapacitetet gjenerike nga energjia e ripërtëritshme, mirëpo stabilitet energjetik kemi vetëm nga gjenerimi me anë të thëngjillit, pasurisë sonë natyrore. Kjo është dëshmuar që është edhe më e sigurt, po në këtë kohë kur kemi pasur fazën tranzitore të operimit si të pavarur, e që kemi pasur bllokadë nga linjat e transmisionit me Serbinë”, ka thënë ministri Kuçi në fund të takimit, duke i falënderuar secilin nga pjesëmarrësit, mirëpo edhe gjithë stafin mbështetës të tyre.

KOSTT-i që nga 14 dhjetori operon si i pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës. Dalja e Kosovës nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe përfshirja e saj në një bllok me Shqipërinë, ishte paraparë me një marrëveshje mes KOSTT-it dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) në muajin qershor. Ajo hyri në fuqi më 29 shtator.