Ministri Kuçi: Serbia po shkel traktatin duke bllokuar linjat transmetuese

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka marrë pjesë sot në Këshillin e Ministrave të Komunitetit të Energjisë, që kësaj radhe u mbajt nën kryesimin e Malit të Zi.

Sipas një njoftimi për media, duke folur për rishikimin e Traktati të Komunitetit të Energjisë, ministri Blerim Kuçi ka folur rreth aktualitetit pas pavarësimit energjetik të Kosovës dhe bllokadës që po bëhet nga Serbia.

“Përderisa po flasim për integrim regjional të tregut të energjisë, vendit tim i janë bllokuar nga Serbia si paleë nënshkruese e këtij traktatit, 60% të kapaciteteve transmetuese ndërkufitare. Kjo në parim zhvlerëson edhe vetë traktatin”, ka thënë ministri Kuçi.

Ai këto veprime i ka parë si të patolerushme dhe që duhet të sanksionohen nga BE-ja, përndryshe ky zotim i përbashkët në Traktatin e Komunitetit të Energjisë e humb kuptimin.

Ditë më parë është raportuar se menjëherë pas fillimi të operimit të pavarur të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia ka ndërprerë transmetimin e 500 megavatëve të energjisë elektrike që Kosova kishte importuar nga ky shtet.

Nga dita e hënë (14 dhjetor) KOSTT operon si i pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës. Dalja e Kosovës nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe përfshirja e saj në një bllok me Shqipërinë ishte paraparë me një marrëveshje mes KOSTT-it dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) në muajin qershor. Ajo hyri në fuqi më 29 shtator.