Vdes nga COVID-19 ish-nënkryetari i Suharekës

Ish-nënkryetari i Komunës së Suharekës, Rexhep Kuçi, ka vdekur nga sëmundja e COVID-19.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur ministri i Ekonomisë dhe Ambientit dhe ish-kryetari i Suharekës, Blerim Kuçi.

I ndjeri Rexhep Kuçi kishte drejtuar para luftës shoqatën humanitare “Nëna Terezë“, e pas luftës dha kontribut të madh në shoqatën “HANDIKOS”.

Ky është njoftimi i plotë i ministrit Blerim Kuçi:

I kobshëm dhe i papranueshëm lajmi për ndarjen nga jeta, pas infektimit me COVID-19, të humanistit të madh dhe ish-nënkryetarit të Suharekës, Rexhep Kuçi.

Ai udhëhoqi Shoqatën Humanitare “Nëna Terezë” kur ishte më së vështiri nën represionin serb. Pasluftës pati angazhim të pashoq në HANDIKOS, ku arriti t’u japë dinjitetin e duhur personave me aftësi të kufizuara, duke ndërtuar një kulturë që secili aktivitet në qytet t’i përshinte këta persona.

Si nënkryetar i Suharekës kreu punën me korrektësi dhe përsëri u rikthye në humanizmin e tij pranë personave me aftësi të kufizuara.

Ngushëllime familjes dhe miqve! Do të mbetet gjithmonë në zemrat tona!