Cilat janë arsyet që nuk po luftohet sa duhet korrupsioni sipas Sylë Hoxhës

Ish-prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, ka thënë se janë disa arsye pse në Kosovë nuk luftohet korrupsioni më shumë.

Ai ka thënë se janë disa hallka që ndikojnë që personat që kryejnë veprat penale të korrupsionit nuk përfundojnë në burg.

“Çalimi së pari fillon te policia, policia vë bazat më të forta deri të shkojë rasti te prokurori për me bind prokurorin që në një çështje ka aferë korruptive, duhet me pasë një dyshim të bazuar, pastaj është detyrim i prokurorit se si e argumenton atë”, ka thënë ai.

Sipas tij, politika duhet të ketë një qasje tjetër, e cila nuk ka të bëjë me ndikim por me përkrahje ndaj sistemit të drejtësisë.

“Duhet edhe politika ta ketë një qasje më serioze në këtë drejtim. Politika duhet ta ketë një përkushtim dhe një seriozitet më të madh dhe duhet të jetë në mbështetje të organeve të ndjekjes. Nuk është numri i mjaftueshëm i prokurorëve, nuk ka staf mbështetës, nuk ka aparatura, këta janë mungesa me të cilat ballafaqohet prokuroria e shtetit”, ka vlerësuar ish-prokurori special.

“Kur po them mbështetja institucioneve, po them që prokurorët dhe gjyqtarët nuk bën të kërcënohen as të shantazhohen dhe të insistohet që të gjitha agjencitë përkatëse ta ndihmojnë sistemin prokurorial duke i ofruar prova, pa ndërhyrje”, ka deklaruar Hoxha në “Kallxo Pernime”.

Ai ka thënë se ekziston edhe një problem i vazhdueshëm për sistemin e drejtësisë për mosluftim të korrupsionit.

“Ka një mungesë të prokurorëve ende nuk është plotësuar numri i duhur, kjo është një mangësi e paarsyeshme”, deklaroi Sylë Hoxha.