Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Çfarë po bën Shqipëria për lirimin e tre policëve kosovarë?

Që nga 14 qershori i këtij viti, tre policë kufitarë të Kosovës u kidnapuan nga forcat speciale të Serbisë në brendësi të territorit të Kosovën në veriun e vendit, në Leposaviq.

Shteti i Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian por edhe Shqipëria kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të Kosovës.

Në një konferencë për media, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se nuk mund të jap shumë detaje se çfarë po punohet për lirimin e tyre, por deklaroi se është aktiv në këtë çështje.

“Nuk dua të komentoj se çfarë kemi bërë dhe çfarë jemi duke bërë për lirimin e tyre (tre policëve), ju siguroj që jemi shumë aktiv, jo vetëm në një kanal por në disa kanale, por as nuk diskutohet që marrëdhëniet tona derisa mbahen ata atje, janë pa asnjë gjë të re, përkundrazi, janë vetëm për këtë punë për asgjë tjetër” – tha Edi Rama të premten para gazetarëve në Tiranë.

Në këtë pikë, Rama tha se do të vepronte ashtu siç po veron kryeministri, Albin Kurti.

“Unë nuk jam i ëmbël me Albinin, por në këtë pikë do të bëja absolutisht të njëjtën gjë, pa u liruar ata të tre, s’do bëja asgjë, se është e papranueshme fare. Nuk janë tre njerëz që i kanë kapur me pretendimin që i kanë bërë krime, siç është rasti i atyre që janë arrestuar në Kosovë” – tha ai.

Ai përsëriti edhe njëherë kërkesën për lirimin e tre zyrtarëve policorë.

“Dje nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe për sa kohë tre efektivët e Policisë së Kosovës vazhdojnë të mbahen në burg në Serbi. Nuk asnjë mundësi që të ketë përparim në dialog apo deaskalim konkret pa kthimin e tyre në shtëpi. Madje, nuk mund të ketë normalitet as në marrëdhëniet të Shqipërisë dhe Serbisë për sa kohë Serbia nuk i jep fund heqjes së lirisë së tre policëve të cilët nuk kanë kryer asnjë krim, edhe nëse e kanë kaluar vijën e kufirit” – tha ai.

“Sot e përsëris me zë dhe me figurë apelin për lirimin e menjëhershëm, pa kushte, pa nëse, të tre efektivët e Policisë së Kosovës. Jo veç pse është shkelje e të drejtave të njeriut, por pa u kthyer në shtëpi ata tre burra nuk ka asnjë mënyrë për të lëvizur me planin e deeskalimin” – deklaroi kryeministri shqiptar.