Gjykata e Gjakovës, FOTO-KALLXO.com

Caktohet data e shpalljes së aktgjykimit ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve

Në gjykimin ndaj ish-kryetarit të komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, për subvencionet e shpërndara në Gjakovë, sot nën udhëheqjen e kryetarit të trupit gjykues Shaqir Zika bashkë me anëtarët Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli, u dha fjala perfundimtare.

Pal Lekaj, për kohën sa ka qenë në krye të komunës së Gjakovës, po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, e bashkë me të për keqpërdorim pozite po akuzohet Ismet Isufi dhe Gani Rama, ndërsa Veli Hajdaraga po akuzohet për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi.

Prokurori Atdhe Dema, në fjalën përfundimtare kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtore dhe të dënohen sipas ligjit.

Ndërsa përfsqësuesja e komunës, Vjollca Shyti deklaroi se “nëse të akuzuarit do të shpallen fajtorë, atëherë do të kërkojmë kompensimin e dëmit”.

Në anën tjetër, mbrojtësit e të akuzuarve kërkuan që të akuzuarit të lirohen nga akuza.

Ata pretenduan se akuza është ngritur politikisht.

Mbrojtësi i ish-kryetarit të komunës së Gjakovës Pal Lekaj, avokati Arianit Koci tha se si pasojë e një kallëzimi penal të rrejshëm politikisht, e ka sjellë klientin e tij para gjykatës.

Koci kërkoi nga gjykata që i njëjti, në mungesë të provave të lirohet nga akuza.

Po ashtu, edhe avokatët e tjerë sikurse Ndrec Dodaj, Bajram Morina dhe Agim Muhaxhiri, kërkuan që të mbrojturit e tyre Gani Rama, Ismet Isufi e Veli Hajdaraga, të lirohen nga akuza.

Shpallja e aktgjykimit së këtij rasti do të bëhet me datë 19 shkurt.

Aktakuza e rastit:

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga ngarkohet me veprën e mashtrimit të subvencioneve dhe shmangies nga tatimi.

Po ashtu, Rama po akuzohet për 218 mijë euro për shpërndarjen e subvencioneve.

Prokuroria Speciale, po akuzon Ramën se “kishte lejuar alokimin dhe propozimin e mjeteve lidhur me pagesat që i janë bërë biznesit DPT “Union-Vl”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve’.

Në aktakuzë thuhet se Gani Rama, këto mjete i kishte lejuar pa asnjë procedurë për shpërndarjen e subvencioneve, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta apo dokumentacion tjetër përcjellës, ashtu siç është përcaktuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe rregullat e përcaktuara.

Shuma e keqpërdorur nga i pandehuri dhe të tjerët, është 218,956.67 euro, thuhet në aktakuzë.

Në këtë rast, ish-kryetari i komunës se Gjakovës dhe ish ministër i Infrastrukturës Pal Lekaj bashkë me ish-zyrtarin e tij Gani Ramën dhe drejtorin e Drejtorisë për Bujqësi Ismet Isufin, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga po akuzohet për shmangie nga tatimi dhe mashtrim me subvencione.

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Në aktakuzë thuhet se vendimet që i ka marrë Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që arrijnë deri në shumën prej 631.671.82 euro.

Të njëjtit edhe pse kanë qenë të obliguar që ta përcjellin shpërndarjen e subvencioneve deri në fund dhe në përpikëri, kanë lejuar mbi 40% të fermerëve mos të pranojnë fare subvencione, të cilët ia kanë mundësuar biznesit “UNION-VL”, apo personave të tjerë përvetësimin e dobisë pasurore që si pasojë kanë dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjakovës në vlerë prej 69.786.00 euro.

Hajdaraga, në cilësinë e udhëheqësit të biznesit “UNION-VL”, ka dhënë informacione jo të sakta me rastin e ndarjes së subvencioneve, duke deklaruar dhe nënshkruar se kinse kanë pranuar subvencione të gjithë personat e nënshkruar në formularët mbi pranimin e tyre.

I njëjti me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, ka prezantuar të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të tij, pasurinë apo gjendjen ekonomike, duke deklaruar një qarkullim më të vogël sesa ai real, respektivisht duke bërë shmangie nga tatimi në shumë rreth 35.550.00 euro, thuhet në aktakuzë.

Ky rast është shenjëstruar për liberalizim të vizave.