Remzi Bytyqi, menaxher në "Plus Market" në Ferizaj

Bytyqi: Buka pritet të shtrenjtohet në mbi 50 centë

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet rreth rritjes së çmimeve të naftës, të energjisë elektrike, produkteve esenciale, ushqimit dhe shërbimeve të tjera.

Remzi Bytyqi, menaxher në “Plus Market” në Ferizaj, ka treguar se buka aktualisht po shitet me çmim prej 40 centë ndërkaq pritet të ketë rritje në mbi 50 centë.

“Buka aktualisht është duke u shitur 40 centë, pritet që të rritet mbi 50 centë”, ka deklaruar Bytyqi.

Ai ka theksuar se çmimet e produkteve që janë në rritje përfshijnë ato që janë esenciale si vaji, mielli, mishi dhe produktet e bylmetit.

“Në email-at që marrim nga furnizuesit, çmimet që rriten janë vaji, mielli, produktet e bylmetit janë në rritje e sipër, mishrat dhe pothuajse në të gjitha produktet ka rritje ekstreme. Këtu është shqetësimi më i madh i joni që produktet esenciale që një familje e ka të vështirë të ia dalë me këto ngritje. E kam nxjerrë një statistikë nga viti i kaluar. Diku 48 -55% kanë rritje produktet esenciale si vaji e mielli “, ka thënë Bytyqi.

Bytyqi gjithashtu tha se rritja e çmimeve të produkteve lidhet edhe me atë të derivateve duke shtuar se Kosova është e varur nga importi.

“Një produkt deri në tre herë brenda muajit ndryshon çmimi. Këtu janë të gjitha të lidhura me derivate, me import. Kosova është e varur prej importit, prej berzës dhe çdo gjë që ngritët nga jashtë e përjetojmë edhe ne këtu”, shpjegoi Bytyqi.

Bytyqi rrëfeu se ka pasur raste kur disa klientë kanë shkuar në marketin e tij për t’u furnizuar me vaj por të njëjtin e kanë kthyer në raft sepse sipas tyre çmimi është i lartë.

“Ka pasë raste kur kam taku klientë që ka ardhë dhe e ka marrë një shishe vaj por prapë e ka kthyer në raft për shkak të çmimit. E kam pyet ‘pse po e kthen?’ dhe mu ka përgjigjur ‘qenka shtrenjtë’.  Vaji tek ne është 1.55 euro dhe nuk e ka litrën e plotë, ndërsa vitin e kaluar ka qenë 1.05 euro”, tha ai.

Adriatik Stavileci nga Dogana e Kosovës ka thënë se shtrenjtimi i  të gjitha produkteve si në aspektin e importit është rreth 25% dhe shtoi se Kosova ka import më shumë të miellit se grurit.

“Kosova ka më shumë import të miellit sesa të grurit. Të miellit kemi një rritje prej 25% krahasuar me vitet 2020-2021 , pra nëse mielli ka qenë rreth 33 centë, është rritë në 43 centë në import pa parapagesë të taksave. Nëse flasim për grurë, nëse toni ka qenë në një periudhë të caktuar 270 euro tani ka arritur diku në 300 euro për ton”, ka deklaruar Stavileci.

Në emision kanë qenë të ftuar edhe Shoqata e Mullisëve, por nuk kanë ardhur.

Të njëjtit për KALLXO.com kanë thënë se duhet marrë shumë seriozisht që buka së shpejti do të kushtojë 1 euro, duke shtuar se nuk kanë dashur ta ngarkojnë popullin me këtë temë të ndjeshme.

Shoqata kishte dërguar një shkresë te Rregullatori i Energjisë gjatë shqyrtimit të tarifave të cilët i ka paralajmëruar që rritja e çmimit të energjisë do të rrisë çmimin e bukës.