Brenda 24 orëve të fundit janë arrestuar 6 burra për dhunë në familje

Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit ka arrestuar gjashtë burra të dyshuar për dhunë në familje në pesë raste të ndryshme.

Sipas policisë, dy nga rastet kanë shkuar në procedurë të rregullt, dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa njëri nga të dyshuarit është dërguar në Klinikën Neuropsikiatrike.

Ky i fundit është dërguar në Klinikën e Neuropsikiatrisë pasi tek ai është gjetur dhe konfiskuar një sasi e dyshuar e substancave narkotike e llojit marihuanë.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur dje në Prishtinë, rreth orës 19:53.

“Njësia policore pas pranimit të një informate për dhunë në familje te i dyshuari ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të dyshuar të substancave narkotike të llojit marihuanë. I dyshuari është arrestuar dhe ai është dërguar në Klinikën Neuropsikiatrike për trajtim mjekësor”, ka thënë policia duke shtuar se ndaj tij është inicuar rasti për dhunë në familje.

Edhe ngjarja e dytë raportohet të ketë ndodhur në Prishtinë  rreth orës 20:00.

Policia ka thënë se është arrestuar i dyshuari pasi pas një mosmarrëveshje ka ushtruar dhunë psiqike ndaj viktimës.

Sipas Policisë, me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti i tretë i dhunës në familje që është raportuar se ka ndodhur në Graqanicë rreth orës 17:10.

Sipas njoftimit të policisë, i dyshuari është arrestuar nën dyshimin se ai ka ushtruar dhunë psiqike ndaj viktimës.

Tutje është thënë se i dyshuari, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Pas rajonit të Prishtinës, dy raste të dhunës në familje kanë ndodhur edhe në atë të Gjilanit.

Rasti i parë në këtë rajon, e i katërti në gjithë vendin është raportuar në Gjilan.

Ngjarja është thënë se ka ndodhur në orët e para të 19 korrikut, rreth orës 02:00.

I dyshuari është thënë se është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht viktimën, e cila ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Policia ka njoftuar se rasti i pestë i dhunës në familje në Kosovë ka ndodhur në Novobërdë, dje rreth orës 15:00.

Në njoftim është thënë se viktima ka njoftuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga dy të dyshuar.

Policia ka treguar se viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe se dy të dyshuarit janë arrestuar.

Tutje është njoftuar se me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.