BQK: Sektori bankar në Kosovë mund të përballet me tronditjet nga ekonomia globale

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti ka raportuar sot në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere rreth stabilitetit financiar dhe stabilitetit të çmimeve në vend.

Guvernatori Mehmeti ka folur për efektin e rritjes së çmimeve të naftës dhe rritjen e çmimeve të produkteve tjera.

“Duke qenë se nafta shërben edhe si produkt i ndërmjetëm, efekti i rritjes së çmimeve të naftës ka një ndikim edhe në rritjen e çmimeve për produktet e tjera, sektori bankar i vendit gjenet në një pozitë të mirë për tu përballur me tronditjet nga ekonomia globale”, tha guvernatori Mehmeti gjatë raportimit në komision.

Tutje, Mehmeti tha se në 2021, ekonomia në Kosovë ka pasur rritje prej 10.5% në krahasim me vitin 2020.

“Ekonomia e Kosovës ka zhvilluar një rikuperim të suksesshëm për vitin 2021, të dhënat tregojnë se ka një rritje 10.5%, krahasuar me vitin 2020, rritja nominale 14 %”, tha Mehmeti gjatë raportimit në komision.

Mehmeti ka thënë se kriza e pandemisë e ka gjetur sektorin bankar me tregues financiar të shëndetshëm dhe se BQK ishte e aftë për të ndërmarrë masa të krijuara nga pandemia.

“Sigurimi i një sistemi financiar stabil është një ndër objektivat kryesore të BQK-së. BQK ishte e aftë që të ndërmarrë një sërë masash të krijuara nga pandemia në Kosovë, këto masa konsistuan në moratoriumin e pagesave të kredive nga huamarrësit, pas moratoriumit BQK ka publikuar udhëzuesin për ristrukturim të kredive. Totali i përgjithshëm për ristrukturim të kredive ishte 1.3 miliardë euro”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij Kosova aktualisht ka një sektor bankar që nuk është duke u bërë barrë e shtetit.

“Sot kemi një sektor bankar që në asnjë mënyrë nuk është duke u bërë barrë e shtetit. Vetëm gjatë vitit 2021 janë shtuar 1.8 miliard kredi të reja, depozitat kanë arritur në 4.9 miliard euro. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit është 15.8%. Bankat rezultojnë të jenë të qëndrueshme në aspektin e likuiditetit për të përballuar skenar nga më te ndryshmit”, ka shtuar Mehmeti.