Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut: 7,199 vdekje civile dhe 11,756 të plagosur që nga pushtimi rus i Ukrainës

Një ofensivë e re e madhe ruse ka filluar, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Duke folur përpara një takimi dy-ditor të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, Stoltenberg tha se Rusia “po dërgon më shumë trupa, më shumë armë, më shumë aftësi”. NATO planifikon t’a shtojë kapacitetin e stoqeve të saj të municionit dhe Stoltenberg pret që të diskutohet furnizimi i mundshëm i avionëve në Ukrainë. Stoltenberg tha se përdorimi i municioneve në Ukrainë është “shumë herë më i lartë se shkalla jonë aktuale e prodhimit”.

Mbrojtësit ukrainas, të cilët janë përballur me muaj të tërë, janë të përgatitur për sulme të reja tokësore, kanë thënë zyrtarët ushtarakë ukrainas. Qyteti lindor i Ukrainës, Bakhmut, po përballet me zjarr të rëndë artilerie, sipas zyrtarëve lokalë. Ushtria ukrainase raportoi se 16 vendbanime ishin bombarduar pranë Bakhmutit.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy i falënderoi ushtarët ukrainas për “parandalimin e pushtuesve që ta rrethojnë Bakhmutin”. Kapja e Bakhmutit do t’i jepte Rusisë një terren të ri në rajonin e Donetskut dhe do të përbënte një fitore të rrallë pas muajsh pengesash.

Gjenerali i lartë i Ukrainës Valeriy Zaluzhnyi dhe komandanti më i lartë i ushtrisë amerikane në Evropë, gjenerali amerikan Christopher Cavoli, kanë diskutuar për ndihmën e mëtejshme ushtarake për Kievin përpara takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s. “Ne diskutuam çështjen e furnizimit me ndihmë ushtarake ndërkombëtare për Ukrainën dhe trajnimin e njësive tona në territorin e vendeve partnere”, citohet të ketë thënë ministria e mbrojtjes e Ukrainës.

Aleatët e Ukrainës e kanë filluar trajnimin e trupave ukrainase në Leopard 2 dhe tanke të tjera moderne të fushëbetejës. Gjermania filloi trajnimin e ushtarëve ukrainas mbi Leopardët të hënën në një bazë ushtarake në qytetin verior të Munsterit. Trupat ukrainase po trajnohen gjithashtu nga instruktorë polakë, kanadezë dhe norvegjezë në një bazë ushtarake në Sëietoszoë, Polonia jugperëndimore.

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, e ka akuzuar Rusinë se planifikon të përdorë diversantë të huaj për ta përmbysur qeverinë e vendit të saj, për ta parandaluar anëtarësimin e saj në BE dhe për ta përdorur atë në luftën kundër Ukrainës. Komentet e Sandu të hënën erdhën pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, tha se vendi i tij kishte përgjuar planet e shërbimeve sekrete ruse “për shkatërrimin e Moldavisë” – informacion ky që u mbështet më vonë nga zyrtarë të inteligjencës moldave.

Rusia do të bëhet “më autoritare dhe e militarizuar” në vitet e ardhshme, besojnë shërbimet e inteligjencës norvegjeze. “Nuk ka kthim prapa,” ka thënë Lars Nordrum, i dyti në komandën e shërbimit inteligjent norvegjez. “Interesat ruse nuk do të jenë në përputhje me ato të perëndimit”.

Furnizimet ruse të armëve për Indinë kanë qenë me vlerë 13 miliardë dollarë në pesë vitet e fundit dhe India ka bërë porosi për 10 miliardë paund të tjera, sipas mediave shtetërore ruse. India është blerësi më i madh në botë i armëve ruse, duke zënë rreth 20% të librit aktual të porosive të Moskës. India nuk e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës dhe kryeministri i saj, Narendra Modi, ka bërë thirrje për dialog dhe diplomaci për ta zgjidhur konfliktin ushtarak ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut thotë se ka regjistruar 7,199 vdekje civile dhe 11,756 të plagosur që nga pushtimi rus i në shkurt të vitit të kaluar, kryesisht nga granatimet, raketat dhe sulmet ajrore. Megjithatë, besohet se shifrat aktuale janë shumë më të larta./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala