Vendi i vitit 2023 sipas The Economist

Historianët nuk do ta shohin 2023-shin si një vit të lumtur për njerëzimin. Luftërat u ndezën, regjimet autokratike u mbollën në shumë vende, të fortët shkelën ligjet dhe e frenuan lirinë. Ky është sfondi i zymtë i çmimit tonë vjetor “Vendi i Vitit”. Nëse çmimi ynë do të shkonte për qëndrueshmërinë e njerëzve të zakonshëm përballë tmerrit, do të kishte një bollëk kandidatësh, nga palestinezët dhe izraelitët në konfliktin e tyre të hidhur e deri te sudanezët që ikin ndërkohë që vendi i tyre po shpërbëhet.

Megjithatë, që kur filluam t’i emërtojmë vendet e vitit në 2013, ne kemi kërkuar të njohim diçka ndryshe: vendin që është përmirësuar më shumë. Kërkimi për një pikë të ndritshme në një botë të zymtë bëri që disa punonjës tanë të dëshpëroheshin dhe ta propozonin Barbie Land, utopinë imagjinare rozë të një filmi të suksesshëm të Hollivudit. Por në jetën reale, ka dy grupe vendesh që meritojnë njohje në vitin 2023.

E para përfshin vendet që i kanë rezistuar bullizmit nga fqinjët autokratë. Nuk mund të thuhet se jeta në Ukrainë u përmirësua, por ky vend e vazhdoi me shumë guxim luftën e tij kundër makinerisë luftarake të Vladimir Putinit, pavarësisht nga lëkundja e mbështetësve të tij perëndimorë. Moldavia i rezistoi frikësimit rus. Finlanda u bashkua me aleancën e NATO-s dhe Suedia do të bëhet së shpejti pjesë e kësaj aleance. Në Azi, disa vende mbajtën nervat e tyre përballë agresionit kinez, shpesh në bashkëpunim me Amerikën. Filipinet i mbrojtën kufijtë e tyre detarë dhe ligjin e detit, kundër anijeve shumë më të mëdha kineze. Në gusht, Japonia dhe Koreja e Jugut i lanë mënjanë ankesat e tyre historike për ta thelluar bashkëpunimin e tyre. Shteti ishullor i Tuvalu, me një popullsi prej 11,000 banorësh, sapo ka nënshkruar një traktat me Australinë që siguron popullsinë e saj kundër ndryshimeve klimatike dhe përfshin një garanci sigurie për ta parandaluar që ajo të bjerë nën kontrollin e Kinës.

Grupi ynë i dytë i vendeve i doli në mbrojtje demokracisë apo vlerave liberale në vendet e tyre. Liberia e brishtë, e prekur nga lufta arriti një transferim paqësor të pushtetit. Kështu bëri edhe Timor-Leste, i cili ruajti reputacionin e tij për respektimin e të drejtave të njeriut dhe medias së lirë. Në disa vende të mesme, si Tajlanda dhe Turqia, kishte shpresë për ndryshim ndërkohë që opozita bënte përpjekje të mëdha për t’i rrëzuar regjimet autokratike, por ato regjime të mbajtura në zgjedhje u anuan në favor të tyre.

Tri vende dallohen për kthimin në moderim pasi paraprakisht kishin qenë në anën e egër. Brazili u betua në një president të qendrës së majtë, Luiz Inácio Lula da Silva, pas katër viteve të popullizmit të rremë nën Jair Bolsonaron, i cili përhapi teori konspirative përçarëse, mbështeti fermerët që digjnin pyjet e shiut, refuzoi të pranonte humbjen elektorale dhe inkurajoi besimtarët e tij për një kryengritje. Administrata e re e rivendosi shpejt normalitetin dhe e ka ulur ritmin e shpyllëzimit në Amazonë me gati 50%. Rekordi mbresëlënës i Brazilit u dëmtua, megjithatë, nga zakoni i Lula-s për t’u qetësuar me Putin dhe despotin e Venezuelës, Nicolás Maduro. Si rezultat, Brazili e ka humbur epitetin e vendit më të mirë.

Polonia pati një 2023 të mrekullueshëm: ekonomia e saj i rezistoi goditjes së luftës në vendin fqinj; vazhdoi t’i presë gati 1 milionë refugjatë ukrainas; dhe për ta frenuar Rusinë, i ngriti shpenzimet e saj të mbrojtjes në mbi 3% të PBB-së, duke u dhënë kolegëve të saj dorështrënguar të NATO-s një shembull për t’u imituar. Problemi më i madh i Polonisë ka qenë dominimi i partisë populliste-nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PIS), e cila e ka drejtuar qeverinë për tetë vitet e fundit, duke gërryer pavarësinë e gjykatave, duke i mbushur mediat shtetërore me lakej dhe duke e ushqyer kapitalizmin mik. Në tetor, votuesit e mposhtën PIS në favor të një sërë partish opozitare. Janë ditët e para për një qeveri të re koalicioni, të udhëhequr nga Donald Tusk, një centrist veteran, por nëse ajo bën një punë të mirë për ta ndrequr dëmin e shkaktuar ndaj institucioneve demokratike, Polonia do të jetë një kandidate e fortë për çmimin tonë vitin e ardhshëm.

Krejt këto si më lartë lënë vend për fituesin tonë, Greqinë. Dhjetë vjet më parë Greqia u gjymtua nga një krizë borxhi dhe u bë ojekt talljeje në Wall Street. Të ardhurat kishin rënë, kontrata sociale po rrënohej dhe partitë ekstremiste të së majtës dhe të djathtës ishin shfrenuar. Qeveria greke u bë aq e dëshpëruar sa iu hodh në përqafim edhe Kinës dhe më vonë ia shiti portin e saj kryesor, Pireun, një kompanie kineze. Sot Greqia është larg të qenit perfekt. Një aksident hekurudhor në shkurt e ekspozoi korrupsionin dhe infrastrukturën e dobët; skandali i përgjimeve dhe keqtrajtimi i migrantëve sugjeruan se liritë civile mund të përmirësohen.

Mirëpo pas vitesh ristrukturimi të dhimbshëm, Greqia e kryeson renditjen tonë vjetore të ekonomive të botës së pasur në vitin 2023. Qeveria e saj e qendrës së djathtë u rizgjodh në muajin qershor. Politika e saj e jashtme është pro-Amerikës, pro-BE dhe e kujdesshme ndaj Rusisë. Greqia na tregon nga pragu i kolapsit, është e mundur të zbatohen reforma të ashpra ekonomike, të arsyeshme, të rindërtohet kontrata sociale, të tregohet patriotizëm i përmbajtur – dhe të fitohen ende zgjedhjet. Me gjysmën e botës që do të votojë në vitin 2024, demokratët kudo ku janë duhet t’i kushtojnë vëmendje./The Economist

Përgatiti: Nuhi Shala