Njësitë e Policisë së Kosovës afër fshatit Banjskë në Zveçan, 25 shtator 2023 Foto: EPA-EFE/Djorde Savic Foto: EPA-EFE/Djorde Savic

Njësitë e Policisë së Kosovës afër fshatit Banjskë në Zveçan, 25 shtator 2023 Foto: EPA-EFE/Djorde Savic Foto: EPA-EFE/Djorde Savic

'The Economist' shkruan për sulmin në Banjskë: Sulm misterioz që tronditi të gjithë

Gazeta prestigjioze britanike, “The Economist” ka shkruar për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Bansjkë.

Me titullin “Një sulm misterioz në veri të Kosovës trondit të gjithë”, artikulli tregon për atë që ndodhi më 24 shtator në Banjskë, ku mbeti i vdekur polici Afrim Bunjaku dhe tregon pretendimet e Ministrit të Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, e mohimet e Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ndaj këtyre pretendimeve.

“Presidenti i Serbisë, shërbimet e saj të inteligjencës dhe forcat e saj të armatosura u përfshinë të gjithë në një komplot për ta marrë kontrollin e veriut të Kosovës muajin e kaluar. Të paktën kështu thotë Xhelal Sveçla, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës” – shkruan The Economist.

Prestigjiozja britanike thotë se Serbia mohon përfshirjen e saj e fajëson Kosovën për provokimin e serbëve lokalë. Megjithatë, artikulli përmend deklaratat e Vuçiq në të kaluarën.

“Megjithatë, është e vërtetë se në të kaluarën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se do të dëshironte një marrëveshje ku veriu i Kosovës me shumicë dërrmuese të banuar nga serbët të kthehet në kontrollin e vendit të tij (Kosova ishte një krahinë e Serbisë derisa në vitin 2008 shpalli pavarësinë, të cilën Serbia e refuzon për të njohur)” – shkruan kjo gazetë.

Më tej, thuhet se në vitin 2018, Vuçiq pati deklaruar se “Të gjithë serbët e dinë se e humbën Kosovën, por unë do të përpiqem të bëj gjithçka që mundem për të rifituar atë që mundem, kështu që në fund nuk është një mposhtje totale apo humbje totale”.

Ky shkrim tregon edhe për pranimin e fajësisë së politikanit e biznesmenit serb në Kosovë, Milan Radoiçiq.

“Shteti serb nuk kishte asnjë lidhje me planet e tij, deklaroi Radojçiq. Shumë në Kosovë e kanë të vështirë ta besojnë këtë. Ministri Sveçla pretendon se të dhënat e mbetura pas arratisjes së grupit prej rreth 30 burrash më 24 shtator tregojnë se armët e tyre ishin furnizuar nga ushtria serbe. Pamjet e lëna pas në një nga dronët e tij, thotë ai, tregojnë se grupi është trajnuar në një bazë ushtarake serbe. Radojçiq është lënë i lirë në Serbi” – thuhet më tej në artikull.

The Economist shkruan se “cilado qoftë e vërteta e kësaj afere të turbullt, veriu i Kosovës paraqet problem.”

Vendndodhja e Manastirit të Bansjkës ku ishte fshehur grupi terrorist është përshkruar në artikull si i pozicionuar në një kodër të lartë të rrethuar nga kodra të tjera të pjerrëta dhe plot gjelbërim. Fshati këtu përshkohet nga rrugë të vogla të cilat e përshkojnë kufirin me Serbinë dhe janë rrugë të mirëpërcaktuara të kontrabandës, raporton The Economist.

Përgatiti: Nuhi Shala