(Ilustrim) - Foto: Facebook / Volodymyr Zelensky

Turqia ofron evakuimin e njerëzve nga qyteti i rrethuar i Mariupolit me anije

Turqia ka ofruar evakuimin e njerëzve të bllokuar në qytetin e rrethuar të Mariupolit me anije, njoftoi të shtunën ministri i mbrojtjes i vendit, sipas CNN

“Ne mund të ofrojmë mbështetje me anije për evakuimet nga Mariupol, veçanërisht për civilët, të plagosurit, qytetarët turq dhe qytetarët nga kombet e tjera,” u tha gazetarëve ministri Hulusi Akar.

Qyteti port, i cili shtrihet përgjatë Detit Azov në vijën bregdetare jugore të Ukrainës, ka pësuar dëme të shumta nga sulmet ruse.

Ministria turke e Mbrojtjes përcolli “kërkesën e saj për të mbështetur evakuimet” tek kreu ushtarak rus në Ankara dhe kreu ushtarak turk në Moskë.

Turqia priti ekipet e negociatave nga Rusia dhe Ukraina për bisedime në Stamboll në fillim të kësaj jave.

Pothuajse 10 përqind e popullsisë totale të Ukrainës është larguar nga vendi i shkatërruar nga lufta që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.

Rreth 4 milionë refugjatë kanë kërkuar siguri në vendet fqinje.

Polonia ka pranuar shumicën e refugjatëve, kur rreth 2.4 milionë ukrainas janë nisur drejt perëndimit në kërkim të sigurisë.