Simpatia selektive: Trajtimi ndryshe nga Polonia i atyre që kërkojnë strehim

Diku në një mal, rreth zjarrit janë ulur tre fëmijë nën pesëvjeç, të veshur me rroba dimri; dy shikojnë kamerën, me pritje, tjetri ndoshta është në gjumë. Në një skenë tjetër, gjithashtu në një mal, katër të rinj po flenë në tokë në kushte të mjerueshme, me paketimet e tyre të mbetura ushqimore të shpërndara përreth.

Këto janë pamje që krahas koordinatave se ku ndodhen njerëzit, u shfaqën para publikut polak gjatë javës së fundit. Dhe ndërsa i gjithë vendi është i angazhuar në një përpjekje masive për të grumbulluare rroba, ushqime dhe ilaçe për mijëra refugjatë që po vërshojnë përtej kufirit nga Ukraina, askush nuk duket se po u afrohet njerëzve që shihen në foto.

Dhe kjo ndodh sepse, në vend të ukrainasve, ata janë njerëz nga Lindja e Mesme që kanë ngecur në kufirin midis Bjellorusisë dhe Polonisë.

Edhe nëse pakkush po i kushton shumë vëmendje këto ditë, ata emigrantë – të tunduar në Bjellorusi vitin e kaluar nga regjimi i diktatorit Aleksandar Lukashenko dhe të grumbulluar përtej kufirit si pjesëmarrës të padashur në një luftë hibride kundër BE-së – janë ende duke u përpjekur ta çajnë rrugën e tyre.

Më 22 shkurt, autoritetet polake gjetën trupin e pajetë të 26-vjeçarit Ahmed Al-Shawafi në pyllin Bialowieza në Poloninë lindore, në një zonë të vështirë për qasje e përplot me këneta. Ahmed po udhëtonte me një grup më të madh që përfshinte fëmijë, të cilët u kthyen prapa përsëri në Bjellorusi nga autoritetet kufitare polake, sipas rrëfimeve të tyre.

Qasja në një sipërfaqe prej 3 kilometrash përgjatë kufirit të Polonisë me Bjellorusinë është ende e bllokuar për gazetarët dhe organizatat humanitare. Njerëzit që kanë nevojë për ndihmë në mal janë të vetëm.

Rreth 400 kilometra në jug, në kufirin e Polonisë me Ukrainën, situata është krejtësisht e ndryshme. Autoritetet polake janë mobilizuar plotësisht për t’i mbështetur ukrainasit që ikin nga lufta: institucionet shtetërore atje kanë hapur qendrat e pritjes së refugjatëve përgjatë kufirit, hyrja në vend është pa probleme dhe autoritetet po përgatiten ta lehtësojnë qasjen në sistemet shëndetësore dhe arsimore të vendit për njerëzit që ikin nga sulmet e paprovokuara nga Rusia.

Një përpjekje e madhe bazike po ndodh paralelisht: polakët e rregullt presin në stacionet e trenave ose pikat e kalimit kufitar për t’i transportuar familjet ukrainase më tej brenda Polonisë; vullnetarët në qytete po i krahasojnë polakët që hapin dyert për refugjatët me ata që kanë nevojë për strehim; dhe organizimet e donacioneve po zhvillohen për çdo gjë, nga jelekët antiplumb dhe helmetat te furnizimet mjekësore dhe ndihma për jetimoret në Ukrainë që vuajnë nga bombardimet ruse.

Komunikimi publik nga rojet kufitare polake na e jep një diskrepancë mjeshtërisht evidente.

Më 2 mars në mëngjes, institucioni i Rojës Kufitare shkroi në Twitter: “Dje, 98,000 njerëz hynë në Poloni nga Ukraina. Që nga 24 shkurti, stafi ynë ka kryer proceduren për hyrjen e mbi 453,000 njerëzve që ikën nga Ukraina e shkatërruar nga lufta. #Roja Kufitare ndihmon #Solidarmemehukraine”.

#Pomagamy🇺🇦

Wczoraj tj.01.03 do Polski wjechało z Ukrainy 98 tys. osób.

Od 24.02 #funkcjonariuszeSG odprawili w przejściach granicznych z🇺🇦 ponad 453 tys. osób uciekających z objętej wojną Ukrainy.#SGPomaga #solidarnizukraina pic.twitter.com/BwaFqfYgHi

— Straż Graniczna (@Straz_Graniczna) March 2, 2022

Një orë më vonë, një tjetër postim në Twitter nga rojet kufitare polake: “Mbrëmë, 51 të huaj u përpoqën të kalonin ilegalisht në Poloni nga Bjellorusia. U arrestuan 11 persona nga Siria, 33 nga Iraku, 1 nga Burkina Faso dhe 6 nga Kongo.”

Wczoraj do 🇵🇱próbowało nielegalnie przedostać się z terytorium🇧🇾51 cudzoziemców. Zostali zatrzymani na odcinkach #PSGCzeremcha – 7 ob.Syrii oraz #PSGMichałoëo -21 ob. Iraku i 4 ob.Syrii i #PSGMielnik – 1 ob. Burkina Faso, 6 ob. Kongo, 12 ob. Iraku. pic.tëitter.com/jz7sUGNi4k

— Straż Graniczna (@Straz_Graniczna) March 2, 2022

Ku është dallimi?

Mobilizimi masiv që po shihet për refugjatët ukrainas zgjidh të paktën një enigmë rreth qëndrimit ngurrues të Polonisë ndaj refugjatëve në të kaluarën: nuk është çështje kapaciteti.

Ashtu sikurse vendet e tjera në rajon, Polonia e ka kundërshtuar me vendosmëri një politikë të dyerve të hapura të BE-së për azilkërkuesit dhe migrantët nga jashtë kontinentit. Një pjesë e retorikës së Varshavës, përfshirë ajo gjatë vitit 2015 kur sirianët po iknin nga lufta, ka qenë se vende si Polonia në lindje të Evropës janë ende shumë të varfra për të ndihmuar.

Sot, megjithatë, është bërë e qartë se nëse ekziston vullneti, ekzistojnë edhe mënyrat. Këto ditë, Polonia po arrin ta ofrojë ndihmën e parë dhe të strehojë deri në 100,000 refugjatë në ditë. Të bashkuar nga qeveria qendrore, bashkitë në të gjithë vendin kanë përgatitur akomodimin dhe qytetarët e rregullt po plotësojnë boshllëqet. Çdo natë, për shembull, në stacionin perëndimor të Varshavës dhjetëra polakë shfaqen për t’i marrë ukrainasit dhe për t’i çuar në shtëpitë e tyre.

Krahasuar me madhësinë e valës aktuale të refugjatëve, “kriza e emigracionit” e vitit të kaluar ishte e vogël. Gjatë gjithë vitit të kaluar, Roja Kufitare Polake tha se kishte “parandaluar” mbi 39,000 “përpjekje për hyrje” në Poloni nga Bjellorusia. Ky numër nuk është i barabartë me ata që përpiqen të hyjnë, pasi shumë u përpoqën të kalonin kufirin disa herë pasi u kthyen prapa përsëri në Bjellorusi nga policia kufitare polake. Gjatë gjithë vitit të kaluar, numri i njerëzve nga Lindja e Mesme, Afganistani dhe Afrika që përpiqeshin të hynin në Poloni ishte më i vogël se numri i refugjatëve nga Ukraina që kaluan brenda një dite.

Se ukrainasit që ikin nga lufta kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme, kjo është përtej diskutimit në Poloni, si kudo në BE. Por a mund të kenë përfituar nga e njëjta simpati njerëzit që u shtynë nga rojet kufitare polake që nga gushti i vitit të kaluar?

Qeveria polake nuk e ka pranuar kurrë që ata njerëz kishin nevojë për ndihmë: në një fjalim famëkeq të 20 shtatorit të vitit të kaluar, ministri i Brendshëm polak Mariusz Kaminski pohoi se, në mesin e emigrantëve, kishte terroristë, të varur nga droga dhe madje edhe bestialistë (dikush që kryen marrëdhënie seksuale me kafshë) – pretendime këto të mohuara kryesisht nga mediat polake.

Kuptimi më i zakonshëm në Evropë është se migrantët që kalonin nga Bjellorusia po përdoreshin nga regjimi bjellorus në një luftë hibride, po përpiqeshin të hynin ilegalisht përmes rrugëve të parregullta (dmth. pika kalimi jozyrtare) dhe ishin kryesisht migrantë ekonomikë, të cilët ishin megjithatë mjaftueshëm të privilegjuar për të paguar mijëra eurot e ngarkuara nga agjentët bjellorusë dhe agjentët e tjerë të udhëtimit për vizën dhe fluturimin për në Bjellorusi dhe hotelin në Minsk përpara se të transportohej me autobus në kufi.

Kritikët dhe OJQ-të thonë se problemi me qasjen e Polonisë për mbylljen e kufirit – i miratuar kryesisht nga BE – është se ne thjesht nuk e dimë se cilët janë ata njerëz, të paktën jo nga burime zyrtare. Për shkak se shumica dërrmuese nuk u lejuan të regjistrohen për një kërkesë për azil në Poloni, shteti polak nuk ka të dhëna për identitetin e tyre dhe nëse ata përballen me persekutim në shtëpi.

Në realitet, situata është më komplekse. Të dhënat për rreth 1000 emigrantë që u përpoqën të hynin në Poloni nëpërmjet Bjellorusisë në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, të cilat BIRN do t’i publikojë të plota në fund të këtij muaji, tregojnë një pjesë të madhe të sirianëve dhe fëmijëve, për shembull. BIRN ka dokumentuar gjithashtu në thellësi të paktën një rast të një kurdi nga Iraku, i cili i mbijetoi dy tentativave të fundit për vrasje për aktivizmin e tij politik dhe rrezikohej të vritej nëse kthehej në shtëpi.

Komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme Ylva Johansson deklaroi në janar, gjatë një takimi të Komitetit LIBE në Parlamentin Evropian, duke iu referuar qasjes polake ndaj migrantëve që vijnë nga Bjellorusia, se edhe në një situatë ‘instrumentalizimi’, ku njerëzit përdoren, ata ende kanë të drejtë të aplikojnë për azil dhe të drejtën për të pasur qasje në procedurën e azilit.

“Ne ende duhet t’u qëndrojmë besnikë vlerave tona dhe Traktatit tonë kur bëhet fjalë për interesat më të mira të fëmijës, mbrojtjen e të cenuarëve e kështu me radhë,” tha ajo. “Në një situatë instrumentalizimi, shumica e njerëzve ndoshta nuk janë refugjatë. Por ne nuk e dimë këtë, sepse për të përcaktuar nëse një person është refugjat apo jo, ai duhet të ketë qasje në procedurën e azilit”.

Në një deklaratë të botuar më 1 mars, Grupa Granica, një koalicion polak i OJQ-ve që ndihmojnë migrantët, përgëzoi mobilizimin në të gjithë Poloninë për t’i ndihmuar refugjatët ukrainas, duke thënë se meriton “njohjen më të lartë”. Por ata gjithashtu apeluan për trajtim të drejtë të të gjithë atyre që kërkojnë strehim.

“Duke pasur parasysh angazhimet e saj ndërkombëtare, Polonia është e detyruar të ofrojë mbrojtje për të gjithë njerëzit që i shpëtojnë luftës dhe dhunës, pa marrë parasysh origjinën, besimin dhe ngjyrën e lëkurës së tyre”, shkroi grupi në fjalë. “Ua përkujtojmë të gjithëve se mbrojtja nga efektet e luftës dhe dhunës është një e drejtë, jo një privilegj. Ne nuk pajtohemi që njerëzit e dëshpëruar të khethen prapa në Bjellorusi, një shtet që mbështet pushtimin rus të Ukrainës.

Dallimi më i dukshëm midis ukrainasve që po kalojnë sot në Poloni dhe sirianëve të mbërthyer midis kufijve bjellorusë dhe polakë në kohën e shkrimit, ose atyre që ikën në vitin 2015 kur Polonia gjithashtu i refuzoi, nuk është shkalla e shkatërrimit të tyre në vendet përkatëse, por raca, feja dhe kultura e tyre.

Përvoja të ndryshme

Dhe ka shenja se ky ndryshim po ndikon edhe në trajtimin e disa prej atyre që ikin nga lufta në Ukrainë.

Ndërsa zyrtarët e BE-së i kanë thënë privatisht Politico-s se ata besojnë se disa nga mediat sociale dhe raportet e tjera për zyrtarët kufitarë të BE-së që po i kthejnë mbrapsht refugjatët jo të bardhë rrjedhin nga dezinformimi i qëllimshëm nga Rusia, Fondacioni Ocalenie, një nga organizatat kryesore në Poloni që ndihmon refugjatët, e ka botuar më  27 shkurt një rrëfim të disa polakëve që vinin për të marrë refugjatë në stacionin perëndimor të Varshavës duke refuzuar të marrin studentë jo të bardhë në shtëpitë e tyre.

Vëzhgime të ngjashme janë bërë nga grupe vullnetare që e koordinojnë strehimin në nivel bazë, të cilët e kanë më të vështirë t’u sigurojnë strehim njerëzve jo të bardhë që ikin nga lufta në Ukrainë.

“Në ditët e fundit, ne po vëzhgojmë diskriminim dhe agresion në rritje ndaj njerëzve që ikin nga Ukraina që janë të një kombësie të ndryshme nga ajo ukrainase,” shkroi Grupa Granica në një deklaratë më 2 mars. “Ai prek veçanërisht njerëzit nga vendet arabe dhe afrikane.”

“Ky është padyshim efekti i narrativës së urrejtjes të propaganduar nga qeveria polake për vite me radhë, leja e dhënë grupeve fashiste për të vepruar dhe madje edhe shoqërimi me iniciativa që haptazi thërrasin për urrejtje dhe agresion,” pohoi ai.

Në mbrëmjen e 1 marsit, tre qytetarë indianë që ikën nga lufta në Ukrainë, dy burra dhe një grua, u rrahën në Przemysl – qyteti i parë në kufirin polak ku mbërrijnë shumica e refugjatëve nga Ukraina – nga autorë ende të paidentifikuar sipas policisë lokale, e cila gjithashtu raportoi një prani të shtuar të “grupeve të burrave të lidhur me ambientet e tifozëve të futbollit” atë ditë.

“Përballë kësaj tragjedie në një vend fqinj, pjesa më e madhe e shoqërisë polake dhe klasa sunduese polake duket se i kanë ndryshuar rrënjësisht qëndrimet e tyre ndaj çështjes së refugjatëve, nga një qëndrim negativ në mikpritës”, tha për BIRN, Rafal Pankowski, kreu i shoqatës antiraciste ‘Never Again’ në Poloni. “Ka një vërshim të vërtetë simpatie dhe solidariteti dhe mijëra polakë po i ofrojnë shtëpitë e tyre, makinat dhe punën vullnetare.”

“Megjithatë, shtatë vitet e fundit të propagandës ksenofobike të pandërprerë ka lënë gjithashtu disa gjurmë të përhershme”, shtoi eksperti. “Në ditët e fundit, anëtarët e partisë së ekstremit të djathtë ‘Confederation’ kanë përdorur mediat sociale dhe kanalet e audiencës masive në YouTube duke paralajmëruar kundër një fluksi të supozuar të myslimanëve dhe zezakëve në mesin e refugjatëve.”

“Në mënyrë të pashmangshme, ajo rezultoi në dhunë kundër refugjatëve jo të bardhë siç shihet në Przemysl, me sa duket të udhëhequr nga huliganë vendas të futbollit dhe banditë raciste,” tha ai. “Përgjegjësia qëndron tek predikuesit e ekstremit të djathtë të urrejtjes, si dhe platformat e mediave sociale që u mundësohen atyre.”

Më 1 mars, Zyra e Ombudsmanit polak i bëri thirrje Ministrisë së Brendshme që t’i shqyrtojë pretendimet për trajtim të pabarabartë në të dy anët e kufirit, përfshirë nga autoritetet polake, të studentëve nga vendet afrikane dhe shtetasve të tjerë joukrainas, jopolakë që kalojnë në Poloni. nëpërmjet Ukrainës./Balkan Insight.