Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

SHBA: Paneli i Dhomës së Përfaqësuesve të 6 janarit rekomandon akuza penale kundër Donald Trump

Ditë më parë, Komiteti i përzgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve të trazirave të 6 janarit në Kapitol Hill të SHBA-së, e ka shqyrtuar një referim penal në Departamentin e Drejtësisë kundër Donald Trump, për pengim të një procesi zyrtar të Kongresit dhe komplot për t’i mashtruar Shtetet e Bashkuara me rekomandimin e një nënkomiteti të posaçëm, sipas burimeve të njohura me këtë çështje.

Rekomandimet për ish-presidentin – të bëra nga nënkomiteti që shqyrton referimet – u bazuan në ekzaminimet e rinovuara të provave që tregonin se përpjekjet e Trump për ta penguar certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 2020 përbënin krime potenciale.

Komiteti i përzgjedhur mund të ndjekë referime shtesë penale për ish-presidentin Trump dhe të tjerët, duke pasur parasysh se nënkomiteti ngriti pengimin e një procedimi zyrtar dhe komplotin për t’i mashtruar statutet midis një sërë opsionesh, përfshirë kryengritjen, dhe diskutimet rreth referimeve vazhduan të enjten, thanë burimet.

Sot, ndërkohë, sipas The Guardian, Komiteti i lartcekur e ka referuar Donald Trumpin në Departamentin e Drejtësisë për t’u përballur me akuza penale, duke akuzuar ish-presidentin për nxitje të një kryengritjeje dhe komplot kundër qeverisë për përpjekjen e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe sulmin e përgjakshëm në Kapitolin e SHBA-së.

Referimet e komitetit të miratuara nga anëtarët e tij të bëra dje, ditë e hënë, janë hera e parë në historinë amerikane që Kongresi ka rekomanduar akuza kundër një ish-presidenti. Ato vijnë pas 18 muajsh hetimi nga paneli dypartiak i Dhomës së Përfaqësuesve, i ngarkuar për ta kuptuar komplotin e Trump për t’a ndaluar presidentit aktual dhe fituesit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, Joe Biden të marrë detyrën e presidentit.

“Komiteti ka zhvilluar prova të rëndësishme se Presidenti Trump synonte ta prishte tranzicionin paqësor të pushtetit sipas Kushtetutës sonë. Presidenti ka një detyrë afirmative dhe parësore kushtetuese të veprojë për t’u kujdesur që ligjet të zbatohen me besnikëri. Asgjë nuk mund të jetë një tradhti më e madhe ndaj kësaj detyre sesa të ndihmosh në kryengritjen kundër rendit kushtetues”, ka deklaruar kongresmeni Jamie Raskin ndërkohë që ligjvënësit mbanin mbledhjen e tyre të fundit publike.

Komiteti e akuzoi Trumpin për shkeljen e katër statuteve penale federale, duke përfshirë ato që kanë të bëjnë me pengimin e një procesi zyrtar të Kongresit, duke ndihmuar një kryengritje dhe komplot për t’i mashtruar Shtetet e Bashkuara. Komiteti gjithashtu shtoi se Trump mund të ketë kryer konspiracion kryengritës – e njëjta akuzë që një juri shpalli fajtorë dy anëtarë të grupit të milicisë së djathtë “Oath Keepers” muajin e kaluar.

Komiteti i kërkoi departamentit të drejtësisë që t’i hetojë përpjekjet për ta penguar hetimin e tij, duke përfshirë “disa avokatë … të cilët mund t’i kenë këshilluar klientët të japin dëshmi të rreme ose mashtruese për Komitetin”. 

Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, muajin e kaluar caktoi prokurorin veteran Jack Smith për të përcaktuar nëse do ta akuzonte Ish presidentin Trump për kryengritjen dhe përpjekjet e tij për ta prishur tranzicionin paqësor të pushtetit. Smith po trajton gjithashtu hetimin nëse Trump ka ruajtur në mënyrë të paligjshme sekrete qeveritare pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në janar të vitit 2021. Vendimet e tij në ato raste do të kenë pasoja të mëdha për të ardhmen e ish-presidentit, i cili ka njoftuar se do të kandidojë përsëri për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.

Në muajt e fundit, një numër në rritje i këshilltarëve të lartë të Trump dhe zyrtarëve zgjedhorë në shtetet ku Trump u përpoq ta anulonte humbjen e tij janë ftuar për të dëshmuar përpara një numri në rritje jurish të mëdha federale në Uashington që dëgjuan prova në lidhje me ngjarjet që lidhen me sulmin në Kapitol./The Guardian