Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian Josep Borrell.

Borrell: Shtetet e BE-së po e humbasin durimin përballë situatës së tensionuar në veri

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, deklaroi sot se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë duke humbur durimin përballë situatës së tensionuar në veri të Kosovës.

Kështu tha ai në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin kanë diskutuar edhe për dialogun Kosovë – Serbi.

Sipas Borrell, shtetet anëtare të BE-së kërkojnë lëvizje të shpejta për shtensionim të situatës.

“Jemi pajtuar që kërkohen lëvizje të shpejta, shtensionim e zgjidhje urgjente dhe shtetet anëtarë kanë pajtim për këtë urgjencë dhe janë duke e humbur durimin ndaj situatës që po vazhdon të përshkallëzojë dhe kërkohen veprime të menjëhershme”- tha ai.

Ai shtoi se qëndrim i shteteve anëtare dje ishte që palët duhet ta shtensionojnë situatën dhe të gjejnë zgjidhje përpara bazuar në udhërrëfyesin evropian që u është propozuar.

Borrell tutje ka falënderuar Ramën për, siç tha ai, përpjekjet për shtensionimin e situatës.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta.

Shtensionimi i situatës, zgjedhjet e reja dhe rikthimi në dialog janë tri pikat e përmendura nga ndërkombëtarët si kërkesa për Kosovën dhe Serbinë.