Shefi për diplomaci i bllokut evropian, Josep Borrell.

Borrell: Puna po vazhdon, ndoshta duhet ta lëmë mbledhjen e BE-së për t’u ulur sërish me Kurtin e Vuçiqin

Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell, ka deklaruar se është vonuar që të marrë pjesë në samitin e Këshillit Europian për shkak të takimeve ndaras që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Borrell tha se puna ende po vazhdon përderisa tha se mbase duhet lënë mbledhjen e BE-së dhe të ulen sërish me dy liderët për të provuar nëse mund të gjejnë zgjidhje brenda dialogut.

“Erdha vonë sepse erdha prej një takimi tjetër me Kosovën dhe Serbinë… Kur jemi te Kosova dhe Serbia – puna po vazhdon dhe ndoshta duhet ta lëmë mbledhjen e BE-së dhe të provojmë të ulemi sërish me të dy liderët për të provuar nëse ne mund të gjejmë një zgjidhje brenda dialogut, nuk ka zgjidhje tjetër, mënyra europiane për Kosovën dhe Serbinë përmes dialogut për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre”- tha Borrell.

Sot në Bruksel kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, zhvilluan takime të ndara me kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministren italiane, Giorgia Meloni, shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrell dhe emisarin për dialog Mirosllav Lajçak.

Pas këtyre takimeve nuk ka pasur asnjë deklaratë për media, e as ndonjë deklarim në ndonjë platformë.

Dje, Qeveria e Kosovës ka pranuar që plani i ri, i propozuar nga pesë emisarët fundjavën që lamë pas, të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, SHBA, Gjermani, Francë dhe Itali.

Plani përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7.