Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian , Josep Borrell - Foto: Facebook

Borrell pas bisedës me Stoltenberg: Përshkallëzimi duhet të shmanget

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka njoftuar për bisedën që e ka zhvilluar sot me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit të nivelit të lartë në Bruksel.

Borrell ka thënë se BE dhe NATO mbeten të koordinuara dhe se përshkallëzimi duhet të shmanget.

“E njoftova Stoltenberg, për rezultatin zhgënjyes të takimit të sotëm të nivelit të lartë të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Përshkallëzimi duhet të shmanget. BE dhe NATO mbeten të koordinuara, gjithashtu në terren. EULEX po monitoron nga afër”, ka shkruar ai.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është shprehur i zhgënjyer për mosarritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë sot.

Sot, pas më shumë se pesë orësh takim, kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave në Bruksel.

Kryediplomati evropian, Josep Borrell tha sot se Bashkimi Evropian ka dhënë një propozim sot i cili është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe është pranuar nga presidenti serb, Akesandar Vuçiq.

Borrell tutje tha se do t’i njoftojë vendet anëtare të BE-së, për mos respektimin e detyrimeve nga palët, duke shtuar se “kjo vlen veçanërisht për Kosovën”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti tha se Borrell ka hequr dorë nga afati i marsit të vitit 2023 si datë përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve mes vendeve.