Vjosa Osmani në Bruksel | Foto: Komisioni Evropian

Osmani: BE-ja mos të kërkojë të zbatohen gjëra për të cilën nuk jemi pajtuar

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se Bashkimi Evropian nuk duhet të kërkoj nga Kosova që të zbatoj diçka e cila nuk është shkruar në letër të marrëveshjes.

“Presim që edhe interpretimet nga miqtë tanë nga partnerët, aleatët të jenë në përputhje me atë që jemi pajtuar e jo të kërkohet nga Republika e Kosovës që të bëjë diçka që fare nuk është në marrëveshje, në mënyrë specifike ajo çfarë unë po them ka të bëjë me kërkesat që një nen i caktuar i marrëveshjes të ketë prioritet apo të jetë parakusht për zbatimin e marrëveshjeve të tjera” – tha presidentja Osmani para gazetarëve.

E para e vendit, në një deklaratë para mediave ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të thotë ndonjë fjalë për shkeljet e marrëveshjeve të dialogut që i ka bërë Serbia.

“Ne presim që BE-ja mos të kërkojë të zbatohen gjëra për të cilën nuk jemi pajtuar, ndërkaq të kërkohet pikërisht ajo për të cilën jemi pajtuar. Ne presim akoma që BE-ja të jetë e qartë për shkeljet e Serbisë, deri më tani nuk e kemi parë një gjë të tillë”- tha ajo.

“Asnjë deklaratë e vetme edhe sa i përket dhjetëra shkeljeve të marrëveshjeve nga 2011 e deri tani, por asnjë fjalë po ashtu për shkeljet flagrante që Serbia ka bërë në marrëveshjen e lidhur në Ohër dhe në Bruksel” – theksoi ajo.

Sipas saj, interpretimet e reja që kërkojnë nga Republika e Kosovës që të dal përtej asaj që është e shkruar në letër, nuk e ndihmojnë procesin e dialogut.

“Republika e Kosovës do të vazhdojë të ketë qasje jashtëzakonisht konstruktive. Në çdo proces të dialogut shkon me mendje të hapur por me ide evropiane, e jo ide që na shpien mbrapa në shekullin e kaluar. Ide të bazuara në të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave dhe jo ide që mund t’i japin Serbisë instrumente për ta minuar sovranitetin dhe integritetin tonë territorial”- tha në mesh tjerash presidentja e vendit.

Të hënën, në Bruksel është mbajtur rundi i ri i dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Takimi nuk ka dhënë asnjë rezultat, megjithëse, sipas pjesëmarrësve, janë diskutuar një sërë temash.

Ky rund bisedimesh kishte fokus zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksit të saj.

Kosova vazhdimisht ka pasur presion nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-të që të vazhdoj me zbatimin e pikës 7 të marrëveshjes bazë e cila flet për vetmenaxhimin ose asociacionin e komunitetit serb.

Kurti: Në duam zbatim të plotë, Serbia dëshiron të përqendrohemi tek neni 7