Edi Rama: Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit tregon se Shqipëria ka arritur në një tjetër nivel në pozicionimin ndërkombëtar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se vizita e paraparë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Tiranë, të enjten, më 15.02.2024, është e një rëndësie të veçante.

Sipas tij, vizita e Blinken tregon se shteti shqiptar është ngritur në “një tjetër nivel” në pozicionimin e tij ndërkombëtar.

“Pa diskutim që është një vizitë me rëndësi të veçantë vizita e çdo Sekretari të Shtetit në Shqipëri. Në fund të fundit, Shqipëria nuk është një vend i madh, as me fuqi ushtarake. Por, me sa duket, është një vend i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, në këtë kohë kaq të trazuar. Kjo do të thotë se Shqipëria është ngjitur në një tjetër nivel në aspektin e pozicionimit dhe prezantimit të saj ndërkombëtar siç është angazhimi i fundit në Këshillin e Sigurimit”- ka thënë ai në ATV sot, më 14.02.2024.

Rama ka thanë se kjo vizitë lidhet edhe me një besim shumë të fortë të aleatëve strategjikë te Shqipëria, pesha në rajon dhe me një konsideratë të veçantë me rolin që ka marrë përsipër Shqipëria në rajon si një dorë e shtrirë e miqësisë.

Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar se Blinken do të udhëtojë në Shqipëri dhe Gjermani në periudhën 14-17 shkurt.

Kjo vizitë ka për synim që të riafirmojë lidhjet e Uashingtonit me Tiranën.

Rama e ka vlerësuar lart vizitën e kryediplomatit amerikan në vendin e tij, në një periudhë, sipas tij, të trazuar për botën.

Ai e ka rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë ndaj përpjekjeve të SHBA-së dhe Bashkimit Europian në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.