Antony Blinken - Foto: VOA/Reuters

Blinken: Dënojmë fuqishëm sulmet e terroristëve të Hamasit

Sekretari amerikan Antony Blinken ka deklaruar se dënojnë fuqishëm sulmet e terroristëve të Hamasit kundër Izraelit.

Ai përmes rrjetit X shtoi se qëndrojnë afër shtetit të Izraelit.

“Ne dënojmë pa mëdyshje sulmet e tmerrshme të terroristëve të Hamasit kundër Izraelit. Qëndrojmë në solidaritet me qeverinë dhe popullin e Izraelit dhe shprehim ngushëllimet tona për jetët izraelite të humbura në këto sulme”- u shpreh ai.

Shërbimi kombëtar i shpëtimit në Izrael tha se të paktën 40 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur si pasojë e dhunës.

Grupi militant Hamas tha se ka lëshuar mijëra raketa në Izrael mëngjesin e 7 tetorit, duke nxitur autoritetet që të lëshojnë alarme për sulme ajrore në mbarë vendin, përfshirë në Jerusalem dhe Tel Aviv.

Izraeli u kundërpërgjigj duke kryer sulme ajrore ndaj caqeve në Rripin e Gazës.