Biznesmeni Sali Dakaj rrëfen kujt ia dha 150 mijë euro për lëndën e tij në gjykatë

Biznesmeni Sali Dakaj ka vendosur ta rrëfejë tërë ngjarjen për të cilën ai pretendon se i dha 150 mijë euro që lënda e një borxhi prej 3.5 milionë euro të kthehet në favor të tij.

Dakaj ka pranuar të bashkëpunojë me emisionin “Kallxo Përnime” dhe të filmojë e incizojë takimet për të arritur të dokumentojë se si i dha paratë, si iu premtua që lënda do të zgjidhej dhe si arriti të ulej në takim atë kohë me kryeprokurorin e Apelit, Haxhi Dërgutin.

“Unë e kam pas një lëndë ne Gjykatën e Prishtinës, një përmbarim borxhi me kompaninë “ExCom” dhe gjatë kohës sa kam pritë me u kry vendimi, tek unë ka ardhur Liridon Fandaj i cili me ka thanë se një shok i tij, Hasan Morina, e ka një lidhje në prokurori, që është Haxhi Dërguti, kryeprokurori i Apelit dhe nëse ti pranon me i dhanë 300 mijë euro lënda kthehet në favor tëndin, përndryshe ke me hup lëndën. Unë duke e pa që lënda nuk po kryhet u detyrova me i gjetë borxh 150 mijë euro dhe ia kam dhanë Hasan Morinës, i cili më ka thënë se bashkë me Liridon Fandën ia kanë çu në shtëpi Haxhi Dergutit” – theksoi Dakaj për emisionin “Kallxo Përnime”.

Haxhi Derguti pasi është takuar me hulumtuesit e “Kallxo Përnime”, ka vendosur që përgjigjet e tij t’i kthej me email.

Ai ka pranuar se ka takuar gjyqtarin për t’i thënë që ta ketë parasysh rastin e Dakajt por ka mohuar se ka marrë para.

“Me shume se një vit deri sa isha ne përfundim te karrierës ne Prokurorinë e Apelit, me fton ne kafe në restorant Puro miku im Hasan Morina. Aty takova Hasan Morinen dhe dy persona te tjerë te cilët ishin pak te njohur për mua, dhe Hasani me tregoj se ky shoku i tij qe tani është Sali Dakaj dhe një person tjetër qe ma vone mora vesh se ishte Liridon Fandaj po qe ma pare nuk kisha takuar me te. Me treguan se Sali Dakaj e ka një rast ne Gjykatën Themelore ne Prishtinë, nëse ka mundësi me i ndihmua me shpjetu. Unë ju thash ta shohim se nuk njihëm mire me gjyqtarin i cili ishte Latif Xhemajli” – theksoi Dërguti.

Në përgjigjen e tij Dërguti e pranon se e ka takuar gjyqtarin dhe kanë folur për lëndën e Sali Dakajt.

Gjatë kësaj kohe, emisioni ka tentuar të takojë Hasan Morinën,  personi i apostrofuar si njeri që ka marrë paratë dhe i ka dhënë Haxhi Dërgutit.

Ai fillimisht ka premtuar se do takohet me hulumtuesit e “Kallxo Përnime” por më pas nuk e ka hapur më telefonin.

“Jam jashtë vendit, të lutem kur të kthena, kthena besoj kah fundi i javës tjetër po mendoj. Falëm të lutëm se kur të kthena të lajmërona. Kur të kthena të lajmërona i nderum, tash numrin e kam kur të kthehna të thirri unë” – ka thënë Morina në telefonatën e parë por me pas ai nuk është lajmëruar më.

Hulumtuesit e emisionit “Kallxo Përnime” kanë tentuar ta takonin edhe Liridon Fandajn.

Fandaj është i njohur për publikun pasi drejtonte një kohë asamblistët e Vetëvendosjes në Suharekë.

Por emisioni kontaktin me Fandaj e ka pasur të pamundur edhe pse e kanë kërkuar edhe në shtëpinë e tij dhe pasi janë takuar me familjarët e tij kanë lënë kontaktet por ai nuk është lajmëruar deri ne transmetimin e këtij emisioni.