Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, Foto: ZKM

Bislimi: Raporti i Komisionit Europian do duhej të vlerësonte më shumë disa arritje

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë sot se Raporti i progresit i shkruar nga Komisioni Europian për Kosovën do duhej të vlerësonte më shumë disa arritje në fusha të ndryshme.

“Janë disa arritje në segmentin e kritereve politike, përkatësisht në fushën e funksionimit të demokracisë, drejtësisë dhe sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit dhe administratës publike të cilat është dashur të vlerësohen e theksohen më shumë në këtë raport meqë janë të arritura me shumë rëndësi për një shoqëri demokratike dhe për më tepër janë rekomanduar në raportin e vitit të kaluar” – tha Bislimi në një konferencë për media.

Sipas Bislimit, ato që do duhej të vlerësoheshin më mirë janë Ligji për zgjedhjet e përgjithshme, Ligji për financimin e partive politike, Rregullorja e re e Kuvendit, Ligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ligji për pagat në sektorin publik, Ligji për zyrtarët publikë, Ligji për prokurorin e shtetit, funksionalizimi i Gjykatës Komerciale, rritja e ndjeshme e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe caktimi automatik i lëndëve, Ligji për Këshillin Prokuorial të Kosovës, Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore, përforcimi i ndihmës juridike falas e shumë fusha të tjera.

Zëvendëskryeministri ndër të tjera tha edhe se raporti konstaton se Qeveria ka vazhduar me agjendën e saj ambicioze të reformave drejt BE-së.

Ky Raport, siç tha Bislimi, adreson për herë të parë vendimin final të BE-së që qytetarëve të Kosovës u mundëson udhëtimin pa viza në Zonën Schengen nga 1 janari 2024.

Në të njëjtin raport thuhet se sulmi në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku një polic u vra, një u plagos e një tjetër u lëndua, është kriza më e rëndë që ka ndodhur në periudhën e raportimit për dialogun Kosovë-Serbi.

Aty theksohet se autorët e sulmit duhet të kapen e Serbia të bashkëpunojë plotësisht. Raporti potencon që sulmi nuk duhet të shërbejë si shkak për të devijuar vëmendjen nga dialogu.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, i ka dorëzuar Raportin e Komisionit Europian për Kosovën kryeparlamentarit Glauk Konjufca si dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Ai përmes rrjetit “X” bëri të ditur se përderisa i ka përgëzuar për progresin që ka bërë Kosova është diskutuar edhe se si BE mund të ndihmojë në adresim të rekomandimeve aty ku nevojiten më shumë përpjekje.

“I dorëzova Raportin për Kosovën të vitit 2023 kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Derisa i përgëzova për progresin e bërë nga Kosova, diskutuam se si Zyra e BE-së në Kosovë mund të ndihmojë Kosovën të adresojë rekomandimet në fushat ku nevojiten përpjekje të mëtejshme”- ka theksuar Szunyog.