Foto: ZKM

Bislimi priti në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiun

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka pritur në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiun.

Sipas një komunikate, gjatë këtij takimi ata folën për shqetësimet e nevojat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, diskriminimin sistematik që u bëhet atyre nga institucionet qendrore e lokale të Serbisë, sidomos në fushën e arsimit dhe në lidhje me pasivizimin e adresave.

Në njoftim thuhet se Bislimi ka theksuar se mbështetja e Qeverisë së Kosovës për Luginën e të gjithë shqiptarët atje vijon e palëkundur.

“Përkrahja financiare në buxhetin e vitit të ardhshëm po rritet tutje për Luginën e Preshevës, e ku tashmë do të ndahen 3 milionë euro. Fondet për mbështetje financiare në dy vitet e fundit janë vënë në funksion të ruajtjes së kulturës e identitetit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”- bëhet e ditur në komunikatë.

Në takim, Bislimi shoqërohej nga këshilltari politik për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ragmi Mustafi, ndërsa kryetari Lutfiu shoqërohej nga nënkryetari i tij, Enkel Rexhepi.