Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bislimi: Për mbajtjen e zgjedhjeve të 3 prillit, duhet marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi ka folur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale të 3 prillit të Serbisë në Kosovë.

Bislimi në një intervistë për mediumin Kossev ka thënë se për këtë çështje Serbia duhet të bëjë një kërkesë zyrtare tek Kosova, për t’i mbledhur votat, dhe pastaj për këtë duhet të lidhet një marrëveshje.

Ka thënë se Beogradi “u pajtua” të dërgojë një kërkesë për “ndihmë në mbajtjen e zgjedhjeve” përmes “Zyrës Ndërlidhëse” të Prishtinës në Beograd.

“Në fakt, jo zgjedhje, sepse nuk do të kishte fushatë, por për të mbledhur vota në territorin e Kosovës”, citohet të ketë thënë ai.

Kossev shkruan se Bislimi gjatë intervistës ka pohuar se nuk i takon qeverisë së Kosovës që në asnjë mënyrë t’i kufizojë të drejtat e qytetarëve që kanë të drejtë vote në Serbi, por është çështje marrëveshjeje.

“Përgjigja e qeverisë ishte se ka praktika në vendet evropiane në rastet kur një vend dëshiron të organizojë zgjedhje për qytetarët e tij që kanë shtetësi të dyfishtë – jashtë territorit të tij dhe një mënyrë e qartë e organizimit”, ka thënë Bislimi.

Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se janë duke biseduar për të marrë një vendim i cili sipas tij do ndërtohet mbi bazën e rezolutës së Kuvendit të Kosovës, kushtetutshmërinë dhe ligjet e Kosovës.

“Jemi në kontakt me ambasadat e QUINT-it dhe të Bashkimit Evropian këtu në Kosovë në mënyrë që të shohin se çfarë zgjidhje mund të gjejmë që edhe të drejtat të mos shkelen por kurrsesi të mos cenohet shtetësia, kushtetutshmëria, sundimi i ligjit dhe rezoluta e Kuvendit”, tha Kurti në një deklarim para mediave sot.

Republika e Kosovës nuk lejoi mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, në janar të këtij viti dhe kuvendi pati miratuar rezolutë për këtë çështje.

Referendumi serb kishte të bënte me ndryshimin e Kushtetutës për disa çështje në lidhje me gjyqësorin, me qëllim të harmonizimit të legjislacionit me atë evropian, në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Kosova kishte ofruar mundësinë që serbët që kanë dyshtetësi të votojnë përmes postës dhe zyrës ndërlidhëse.

Kurti flet për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale serbe brenda Kosovës