(Ilustrim) Bislimi- Petkoviq- Lajçak FOTO: Twitter

Bislimi e Petkoviq takohen sot në Bruksel

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pritet të takohen në Bruksel më 25.03.2024 për të diskutuar rreth propozimeve për mënyrën e zbatimit të Rregullorës së BQK-së, e cila nuk e lejon dinarin serb, sikundër as valutat e tjera- pos euros, që të përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Në takimin e kaluar kryenegociatorët ishin dakorduar që palët deri më 22.03.2024 të dorëzojnë propozimet.

Bislimi për takimin e Brukselit: U dakorduam që deri të premten secila palë të sjellë propozimin për çështjen e dinarit

Më 22.03.2024 kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media u pyet nëse kanë dërguar propozimet por ai nuk dha detaje.

Megjithatë ai tha se Rregullorja e BQK-së është e panegociueshme.

“Rregullorja e BQK-së është e panegociueshme. Është vendim plotësisht i pavarur i këtij institucioni të pavarur. BQK është sipër nesh dhe na prin. Përveç që kanë marrë rregullore të re, ata kanë ofruar edhe plan trepikësh për tranzicion tre mujor. Nëse ka pasoja në terren ne do t`i përgjigjemi gjithashtu. Nëse ka ndonjë të moshuar serb që për 24 vite nuk ka pa kurrë euro vetëm dinarë dhe vetëm cash, ne nuk dëshirojmë ajo ose ai të mbetet keq. Por i vetmi mjet pagese sipas Kushtetutës është euro”- ka thënë ai.

Kurti për çështjen e dinarit: Ende nuk ka përfunduar dita e sotme për dërgimin e propozimeve

Më 01.02.2024 në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo Rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, pjesëtarë të cilit bëjnë pagesa edhe me dinarë.

Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në.

SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e Rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Më 05.03.2024, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka pritur në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Bislimi gjatë takimit me Lajçakun ka thënë se Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) nuk është pjesë e procesit të dialogut e as subjekt i negociatava mes palëve.