(Ilustrim) Bislimi- Petkoviq- Lajçak FOTO: Twitter

Bislimi për takimin e Brukselit: U dakorduam që deri të premten secila palë të sjellë propozimin për çështjen e dinarit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar se bisedimet e sotme në Bruksel përfunduan me zotimet e palëve që, deri më 22.03.2024, t’i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së dinarit.

Për javën e ardhshme ai paralajmëroi një takim tjetër për të parë nëse dy propozimet e tyre mund të shndërrohen në një të vetëm.

“U dakorduam që deri të premten secila palë të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. Dhe pastaj javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë një hapësirë që këto dy propozime Të konvergjojnë drejt një propozimi të vetëm që kishte me qenë i pranueshëm për palën kosovare”- u shpreh ai pas takimeve.

Bislimi tha se duan të dëgjojnë edhe nga pala serbe se a janë të përkushtuar për zbatim të marrëveshjeve.

Ndërsa shtoi se pala serbe i ka “ikur” kësaj pyetje.

“Iu bishtnua përgjigjes disa herë, në fund tha se për Serbinë është problematike marrëveshja pasi ka nene të cilat merren me statute, sidomos ato nene që tregojnë për respektimin e integritetit territorial, për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe të ngjashme. Në fakt, na u tha që Serbia nuk e njeh marrëveshjen si të tillë. Ai tha se për Serbinë është e pamundur të nënshkruhet një marrëveshje me Kosovën. Kur pastaj vetë pala serbe iu referua marrëveshjes së vitit 2013 të cilën e kishin nënshkruar, por ai tha se ne nënshkruajmë marrëveshje vetëm aty ku s’diskutohen statutet” – ka thënë Bislimi.

Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan të martën, më 19.03.2024, në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Më 01.02.2024 në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo Rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, pjesëtarë të cilit bëjnë pagesa edhe me dinarë.

Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në.

SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e Rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Më 05.03.2024, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka pritur në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Bislimi gjatë takimit me Lajçakun ka thënë se Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) nuk është pjesë e procesit të dialogut e as subjekt i negociatava mes palëve.