Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: ZKM
Kurti për çështjen e dinarit: Ende nuk ka përfunduar dita e sotme për dërgimin e propozimeve
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk ka treguar cilat janë propozimet konkrete që ka dërguar Qeveria e Kosovës në Bruksel lidhur me çështjen e dinarit.
Ai tha se ende nuk ka përfunduar afati për dërgimin e këtyre propozimeve.
“Ende nuk ka përfunduar dita e sotme për dërgimin e propozimeve tona. Rregullorja e BQK-së është e panegociueshme. Është vendim plotësisht i pavarur i këtij institucioni të pavarur. BQK është sipër nesh dhe na prin. Përveç që kanë marrë rregullore të re, ata kanë ofruar edhe plan trepikësh për tranzicion tre mujor. Nëse ka pasoja në terren ne do t`i përgjigjemi gjithashtu. Nëse ka ndonjë të moshuar serb që për 24 vite nuk ka pa kurrë euro vetëm dinarë dhe vetëm cash, ne nuk dëshirojmë ajo ose ai të mbetet keq. Por i vetmi mjet pagese sipas Kushtetutës është euro”- ka thënë ai.
Edhe në konferencën e sotme, Kurti ka këmbëngulur se dialogu s’është prioritet i parë.
“Nuk është që dialogu na ka marrë kohë sa mendoni ju. Do të ishte mirë që të na merrte më pak kohë. Normalizimi i marrëdhënieve s’është veç në dorën tonë. Unë e kam pranuar marrëveshjen për normalizim bashkë me aneksin e saj, që është arritje e madhe e politikës së jashtme të Kosovës. Por ajo marrëveshje po shkelet vazhdimisht nga zyrtarët serbë”- shpreh ai.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar se bisedimet në Bruksel përfunduan me zotimet e palëve që, deri më 22.03.2024, t’i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së dinarit.
Për javën e ardhshme ai paralajmëroi një takim tjetër për të parë nëse dy propozimet e tyre mund të shndërrohen në një të vetëm.
“U dakorduam që deri të premten secila palë të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. Dhe pastaj javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë një hapësirë që këto dy propozime Të konvergjojnë drejt një propozimi të vetëm që kishte me qenë i pranueshëm për palën kosovare”- u shpreh ai pas takimeve.