Bisedimet fillojnë, mirëpo lufta vazhdon

Bisedimet fillojnë, por lufta vazhdon. Ja çfarë duhet të dini lidhur me zhvillimet rreth ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë:

  • Bisedimet në vazhdim e sipër: Një takim midis delegacioneve ukrainase dhe ruse në Bjellorusi filloi pak para orës 13:00 të hënën. Delegacioni i Ukrainës përfshin disa zyrtarë të rangut të lartë, por jo presidentin Volodymyr Zelensky. Ukraina ka kërkuar një “armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqje të trupave ruse” përpara takimit.
  • Ukraina po reziston përballë forcave ruse: Forcat ruse e kanë “ngadalësuar ofensivën e tyre” por “ende po përpiqen” ta fusin terren ukrainas nën kontrollin e tyre, sipas ushtrisë ukrainase. Pjesa më e madhe e forcave tokësore ruse janë ende më shumë se 30 kilometra në veri të Kievit, tha të hënën Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.
  • Më shumë civilë të vrarë: Numri i fundit i vdekjeve të civilëve në Ukrainë është 102, me 304 persona të plagosur, por shifra e vërtetë dyshohet të jetë “dukshëm më e lartë”, tha të hënën Michelle Bachelet e OKB-së. Numri i të vdekurve përfshin shtatë fëmijë, tha Bachelet. Ministria e Brendshme e Ukrainës publikoi shifra më të larta të dielën, 352 civilë të vrarë.
  • Bjellorusia mund t’i bashkohet pushtimit, sugjerojnë të dhënat inteligjente: Një zyrtar i qeverisë ukrainase i tha CNN se inteligjenca e vendit tregon “gatishmërinë e Bjellorusisë për të marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë” në pushtimin e Ukrainës. Një burim i dytë pranë qeverisë ukrainase tha se administrata Biden ka përcjellë paralajmërime të ngjashme.
  • Ekonomia ruse në shok: Presidenti rus Vladimir Putin do të mbajë një takim të hënën me këshilltarët e tij kryesorë ekonomikë mes pasojave masive nga sanksionet perëndimore, tha Kremlini. Bursa e Moskës nuk do të hapet të hënën pas rënies së monedhës ruse.
  • Ukraina kërkon të anëtarësohet në BE: Zelensky i kërkoi Bashkimit Evropian të hënën që “ta pranojë urgjentisht Ukrainën” në bllokun e BE-së. “Qëllimi ynë është të jemi me të gjithë evropianët dhe të jemi të barabartë me ta. Jam i sigurt se e meritojmë. Jam i sigurt se është e mundur,” tha ai në një mesazh televiziv.
  • Kërcënimi bërthamor: Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha të dielën se vendimi i presidentit rus Vladimir Putin për t’i vënë në gatishmëri të lartë forcat e parandalimit të Rusisë, të cilat përfshijnë armët bërthamore, është pjesë e një modeli më të gjerë të përshkallëzimit të paprovokuar dhe “kërcënimeve të prodhuara” nga Kremlini./CNN