Salla e sportit ku po nënshkruhet peticioni për shkarkimin e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. Foto: KALLXO.com

Bie numri i qytetarëve për nënshkrimin e peticionit në Mitrovicën e Veriut

Pas më pak se dy ore nga fillimi i nënshkrimit të peticionit për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, lokacioni ku filloi ky aktivitet është pothuajse e zbrazët.

Salla e sportit në këtë qytet në orët e para të ditës së sotme ishte gati-gati e mbushur me qytetarë që vendosën nënshkrimet e tyre në peticionet që mbanin logon e shtetit të Kosovës.

Ekipi i KALLXO.com që është duke qëndruar atje ka raportuar se tashmë numri i qytetarëve që po paraqiten për të dhënë nënshkrimin e tyre në këtë peticion është i ulët.

Ky peticion është i organizuar nga grupi iniciatorë serb, e kjo ishte konfirmuar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, Nexhat Uglijani.

Më datë 15 janar, Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore ka miratuar kërkesën e këtij grupi për nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit.

Sot, përpos EULEX që monitoronte situatën nga afër, të angazhuar në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti kanë qenë edhe Policia e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se situata është e qetë.

“Nga aspekti i sigurisë çdo gjë ka qenë në rregull” – tha Elshani.

Erden Atiq u zgjodh kryetar i kësaj komune në prill të vitit të kaluar në zgjedhjet që u mbajtën në katër komunat veriore të Kosovës.

Ai pozitën që e fitoi e mori zyrtarisht më 19 maj 2023, pas betimit që ai bëri.

Disa muaj më vonë, më 13 tetor 2023, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ndryshoi qëndrim duke njoftuar se do të marrin pjesë në zgjedhjet e paralajmëruara në katër komunat veriore.

Zgjedhjet e 23 prillit në të cilat katër komunat – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan e Leposaviq – u fituan nga kryetar shqiptarë, u bojkotuan nga Lista Serbe.

Lajm në zhvillim – Shkarkimi i kryetarit Atiq – Qytetarëve u prijnë zyrtarë dhe ish zyrtarë të Listës Serbe