Foto: CNN

Biden lufton "me mish e me shpirt” që ta shpëtojë kandidaturën

Presidenti amerikan, Joe Biden, ndërmori një betejë të madhe gjatë fundjavës për ta shpëtuar fushatën për rizgjedhje pas performancës shkatërrimtare në debatin e parë, por ende nuk ia ka dalë mbanë që t’i qartësojë dilemat qenësore për kandidaturën e tij. Ato asnjëherë nuk kanë qenë më të dukshme, shkruan televizioni amerikan CNN, teksa analizon dinamikat politike të demokratëve në fundjavë.

Bideni kaloi kohën me familjen në Camp David pas shumë aktivitetesh, në të cilat u mundua të davariste panikun në mesin e votuesve, zyrtarëve dhe donatorëve demokratë pas debatit me shumë shqetësime, përfshirë ato se është plakur shumë për ta mposhtur ish-presidentin Donald Trump, ose për ta ushtruar edhe mandatin e dytë presidencial. Paraqitja e tij e zbehtë dhe e dobët gjatë debatit të së enjtes në CNN ngjalli mëdyshje të jashtëzakonshme në fushatë dhe e përballi me thirrjet që të tërhiqet dhe t’i hapë rrugën një kandidati më të ri kur nuk kanë mbetur katër muaj nga dita e zgjedhjeve, analizon CNN.

Kampi i Bidenit ka kaluar fundjavën duke i sfiduar kritikët në media, ku i bënin thirrje që të tërhiqej, duke ngulmuar se paraqitja dërmuese e Bidenit nuk ka ndryshuar frymën themelore të garës zgjedhore. Figurat qendrore të demokratëve ishin nëpër emisione të ndryshme televizive të së dielës, duke u munduar të shpërqendronin vëmendjen prej paraqitjes konfuze dhe të dhimbshme të Bidenit në debatin e javës së kaluar.

“Le të mos e gjykojmë një presidencë vetëm prej një debati”, ka deklaruar ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, në “State of the Union” të Dana Bushit në CNN. “Le të flasim se çfarë nënkupton për jetën e njerëzve… ndryshimi ndërmjet Joe Bidenit dhe ish-presidentit është shumë i qartë”, ka thënë kongresisti nga Karolina Jugore, James Clyburn, mbështetës i kahershëm i Bidenit, duke e pranuar se miku i tij pati paraqitje “të keqe” në debat, por fajësoi stafin e Bidenit e kishte stërngarkuar me fakte.

Familja e presidentit e cila ka qenë kritike në çfarëdo vendimi për të ardhmen e fushatës, beson se Bideni duhet të mbetet në garë dhe të luftojë fort derisa po presin të dhënat që pritet të tregojnë njëfarë erozioni për pozitën e tij, ka raportuar MJ Lee dhe Jeff Zeleny të CNN-it. Prapëseprapë, qasja mund të ndryshojë nëse do të ketë ndryshim të theksuar të spirales, dhe presidenti do të duhej të bindej se tërheqja nga gara do të ishte vendimi më i mirë.

Strategjia demokrate e kontrollimit të dëmit se gjithsecili mund ta ketë një natë të keqe dhe se kjo nuk mund t’i injorojë sukseset e kaluara të Bidenit, nuk është marrë thellësisht me pyetjen e madhe të cilën e kanë ngritur për muaj me radhë shumë votues:  Shkurt, a mos është dërmuar Bideni fizikisht dhe mençurisht për ta ushtruar edhe një mandat katërvjeçar?

Republikanët po i japin zjarr kësaj çështjeje. “Krejt Amerika e pa me sytë e saj. Dhe, a e dini se kush tjetër e pa? E panë edhe armiqtë tanë. E pa Putini, e pa Xi, e pa Ajetollahu”, deklaroi guvernatori i Dakotës Veriore, Doug Burgum, i përzgjedhuri i mundshëm i Trumpit për zëvendëspresident, gjatë një paraqitjeje në “Meet the Press” në NBC, teksa po u referohej liderëve të Rusisë, Kinës dhe Iranit.

Deri tani nuk ka pasur shenja se presidenti 81-vjeçar po mendon të tërhiqet nga gara, për t’i hapur rrugë partisë që shpejt e shpejt të zgjedhë një kandidat tjetër, shkruan CNN.

“Joe Biden nuk do të largohet nga gara, dhe as që duhet të largohet”, ka deklaruar guvernatori demokrat i Marylandit, Wes Moore, për “Face the Nation” të CBS-it.