Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Berisha nga PLE: Më pak se 5 për qind e fëmijëve egjiptian shkojnë në parashkollorë

Artan Berisha, Partia Liberale Egjiptiane (PLE) dhe ish- zëvendësministër i Arsimit, ka thënë se fëmijët e komunitetit egjiptian ndjekin shumë pak shkollim në nivelin parashkollorë.

Ai në Debat Pernime ka bërë thirrje për ekzekutivin e ardhshëm që të mendojnë edhe për fëmijët e komuniteteve.

“Kërkesa jonë si komunitetet është që çdo qeveri ta ketë me rëndësi këtë nivel të arsimit, pra për çerdhet dhe shkollimin parafillor. Ne, nëpër fshatra nuk kemi qendra për parashkollor. Kërkesa ime është që çdo shkollë fillore ta ketë pjesën për parashkollor sepse këtu fillon gjithçka. Ka shumë qendra private, por duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të komunitetit tonë, ne e kemi shumë problem që t’i dërgojmë fëmijët tanë nëpër çerdhet private, nuk i kanë kushtet elementare. Çka me bë ne si përfaqësues të komuniteteve, që qeveria në ardhje ta konsideroj me shumë rëndësi këtë aspekt”, deklaroi Berisha.

Ai, ka thënë se një përqindje e vogël nga komuniteti egjiptian shkojnë në nivelin parashkollorë.

“Përqindja e fëmijëve në parashkollor është ndoshta nën 5 për qind, nuk i dërgojnë fëmijët në parashkollorë dhe pikërisht këtu është hapi i ngecjes sepse fëmiu në klasën e parë nuk mund të trajtohet barabartë me një fëmijë i cili nuk ka qenë në parashkollorë”, deklaroi ai.

Sonte përballë Jeta Xharrës në ciklin e debateve zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit do të diskutohet për arsimin.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Frashër Demaj nga LDK, Blerim Gashani nga LVV Lista e Vjosës,   Artan Berisha, Partia Liberale Egjiptiane (PLE) dhe ish zëvendësministër i Arsimit , Qerim Bajrami nga Vakat.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.