"Oda" e burrave në Ministrinë e Arban Abrashit

E gjithë paria e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) premtonin se do të bënin reduktim të zëvendësministrave nëpër dikasteret e ekzekutivit kosovar. Madje, kritikuan fortë qeverinë e Haradinajt për numër të madh të zëvendësministrave.

Por, tash kur Avdullah Hoti i kësaj partie udhëheq qeverinë, janë emëruar deri në pesë zëvendësministra në një ministri.

Për shembull, në ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që e drejton Vlora Dumoshi e LDK-së janë emëruar pesë zv/ministra.

Njëjtë, janë emëruar edhe në ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit që e drejton Blerim Kuçi i AAK-së.

Katër të tjerë janë emëruar në ministrinë e Infrastrukturës që udhëhiqet nga Arban Abrashi i LDK-së. Në këtë ministri nuk është emëruar asnjë grua.

Kështu e ka konfirmuar zyra për medie e kësaj ministrie me anë të një përgjigje me shkrim.

“Konfirmojmë se emrat e zëvendësministrave në Ministrinë e Infrastrukturës, janë këta që ju keni përmendur. Webfaqja është në proces të përtrirjes me informacionet e reja dhe shumë shpejt do të jetë e kompletuar”, thuhet në përgjigje.

Zëvëndës të Abrashit në dikasterin e Infrastrukturës do të jenë bashkëpartiaku Arton Retkoceri, Artan Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane, Hamza Balje nga koalicioni VAKAT dhe Xhavit Zariqi nga AAK.

Vetë Arban Abrashi thoshte se më shumë se dy zëvendësministra nuk duhet t’i ketë një ministri, por, tani që është pjesë e qeverisë, ai nuk e ka shtyrë para këtë kriter të qeverisjes.

“Mundësisht duhet kjo reforma në administratë publike, se edhe vetë kam punu. Së paku një duhet të jetë, në disa(ministri), mund t’i kenë edhe dy, për shkak të shumë dikastereve që kanë”, kishte thënë ai në një intervistë për KALLXO.com gjatë zgjedhjeve të fundit nacionale.

Edhe programin qeverisës, LDK parashihte jo më shumë se dy zëvendësministra në një dikaster e jo më shumë se 12 ministri në total. Por, tani që Avdullah Hoti prin qeverisë, ky premtim nuk po mbahet. Në fakt, Hoti ka emëruar katër zëvendëskryeministra, 16 ministra dhe mbi 40 zv/ministra deri më tani, pa u bërë ende një muaj që është instaluar në krye të qeverisë.

Dje gjatë ditës, KALLXO.com raporti se në ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë emëruar deri më tani 5 zv/ministra, njëjtë sikur në ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit.

“Potpuri” zëvendësministrash në Ministrinë e Vlora Dumoshit

www.kallxo.com