Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kërkesat e partive të komuniteteve joshumicë për arsim

Të ftuarit në emisionin “Debat Pernime” debatuan për arsimin. Përfaqësuesit e partive të cilët ishin pjesë e debatit, LDK, LVV dhe PLE dhe VAKAT shpalosën programet e tyre qeverisëse dhe kërkesat tyre për arsimin.

Edhe pse për këtë debat janë ftuar edhe përfaqësuesit e PDK-së, Nismës Socialdemokrate dhe AAK-së në këtë përballje të programeve politike në temat e trajtuara, ata e kanë refuzuar ftesën.

Përfaqësuesi i Partisë Liberale Egjiptiane (PLE), Artan Berisha dhe përfaqësuesi i VAKAT, Qerim Bajrami, shpalosën propozimet, kërkesat dhe problemet e arsimit në komunitetet e tyre në Kosovë.

Artan Berisha (PLE)

– Niveli parashkollor është edhe pjesë e programit të PLE-së duke mos përjashtuar nivelin fillor, të mesëm të lartë, universitar dhe studimet jashtë vendit.

– Kërkesë e komunitetit egjiptian është që Qeveria t’i japë rëndësi nivelit parashkollor. Nuk ka qendra për edukim parashkollor në fshatra kështu që çdo shkollë duhet ta ketë pjesën për parashkollorë. Ka çerdhe private por është vështirë të përballohen financiarisht nga komuniteti jonë.

– Ka shkolla që funksionojnë ende me dy e tri ndërrime, që të ketë mësim gjithëditor duhet të ofrohet infrastruktura e nevojshme.

– Ne kemi ende shumë nxënës që e braktisin shkollimin fillor. Lufta më e madhe është që të ndalet braktisja e mësimit.

– Kërkohet unitet politik për arsimin.

– 30% e fëmijëve të komuniteteve joshumicë, rom, ashkali dhe egjiptian nuk kanë arritur të vijojnë mësimin online për shkak të arsyeve të shumta, një ndër to është edhe se nuk kanë pasur mjete teknike për ta përcjellë mësimin online.

– Kemi 100 persona që janë të gatshëm të jenë mësimdhënës, ne po kërkojmë të ketë kuotë të veçantë për mësimdhënësit e komunitetit tonë.

Qerim Bajrami (Vakat)

– Gjuha boshnjake dhe shkollimi në gjuhën boshnjake të mbetet edhe më tutje në Republikën e Kosovës sepse e konsiderojmë si themelin kryesor për komunitetin tonë. Pa arsim në gjuhën boshnjake nuk do të ketë komunitet boshnjak në Kosovë.

– Në 40 fshatra ku jetojnë boshnjakët nuk ka asnjë çerdhe. Do të punojmë dhe do të bëjmë presion që të gjendet zgjidhje për këtë çështje.

– Propozoj që mësimi gjithëditor të ofrohet nëpër shkolla në fshatra sepse kemi shkolla dhe objekte shumë të mira.

– Neve na mungojnë inspektorët, inspektorët shqiptarë nuk mund të kontrollojë shkollat boshnjake dhe turke për shkak të gjuhës.

– Mungojnë tekstet shkollore në gjuhën boshnjake.

– Kërkoj që të merret seriozisht çështja e arsimit në gjuhën turke dhe boshnjake.

Pjesë e debatit kanë qenë Frashër Demaj nga LDK, Blerim Gashani nga LVV i cili vjen nga Lista e Vjosa Osmanit, Artan Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane (PLE) dhe Qerim Bajrami nga VAKAT.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Debati transmetohet çdo mbrëmje në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.