Berisha: Do punojmë që fëmijët nga rruga t`i kthejmë në bankat shkollore - VIDEO

“Neve më se shumti na shqetëson dalja e fëmijëve në rrugë dhe fokusi ynë kryekëput do të jetë që fëmijët që sillen në rrugë të jenë në bankat shkollore dhe ata të jenë pjesë e arsimimit dhe jo pjesë e rrugës”, theksoi Artan Berisha kandidat për deputet nga Partia Liberale Egjiptiane, këto komente ai i bëri në një intervistë për KALLXO.com.

Berisha në qeverinë e fundit ka qenë zëvendës ministër i Ministrisë së Arsimit dhe mendon se universitet publike që nuk ju kanë akredituar programet nga agjencia e akreditimit duhet të mbyllen.

“Ne nuk jemi kundër mbylljes mirëpo mendoj se shtetit tonë duhet t`i interesoj cilësia dhe në këtë rast duke marr vlerësimet e fundit që keni pas unë mendoj se është dashtë të kemi cilësi më të mirë dhe nëse nuk kemi cilësi në ato universitete  unë mendoj se duhet të mbyllen”, theksoi Berisha.

Berisha tha se mbrojtja e interesave të të gjithë qytetarëve jo vetëm të komunitetit që ai përfaqëson do jetë fokusi i tij nëse arrin të bëhet deputet.

Ai ka kërkuar që shteti të angazhohet më shumë për prodhuesit vendorë.

“Mendojnë se duhet t`i ipet rëndësi e veçantë bizneseve dhe prodhuesve vendorë në këtë rast kemi bujqësinë dhe blegtorinë ku vërtetë nevojitet që shteti i Republikës së Kosovës të ketë lehtësira dhe të promovohen prodhimet vendore”, theksoi Berisha.

Sipas Berishës, arsimi, punësimi dhe infrastruktura janë tri problemet kryesore në komunën e Gjakovës.

Ambienti tha se mbetet shqetësimi tjetër për partinë dhe komunitetin e tij.

“Mendoj se Kosova e meriton një ambient më të mirë, ne e kemi ngritur zërin për disa komuna dhe në këtë rast edhe për komunën e Gjakovës në një lagje ku jeton komuniteti jonë egjiptian në “Koloni” apo ‘Ali Ibra’ ku jemi shumë të shqetësuar për këtë lagje sa i përket ambientit aty”, tha ai.

Berisha gjithashtu ka shtuar se është kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr e poashtu edhe kundër djegies së qymyrit në shtëpi gjatë dimrit. Ai u deklarua edhe kundër përdorimit të qeseve të plastikës.

Edhe pse vjen nga rrafshi i Dukagjinit ai tha se Autostrada e Dukagjinit është hap i hershëm dhe duhet të mendohet pak më mirë.

Berisha tha se është kundër shkëmbimit të territorit me Serbinë, e sa i përket taksës tha se duhet të mbetet deri në një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Berisha nuk u deklarua as për e as kundër martesave në mes të gjinisë së njëjtë  ai tha se mbetet në bindjen e secilit që të vendos.

Për është deklaruar për bartjen e shamive në shkolla.

E kundër është shprehur për privatizimin e Trepçës.

“Trepça është pasuri shumë e vlefshme e shtetit tonë dhe mendoj se duhet të mbetet nën menaxhimin e shtetit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Berisha tha se votën e tij në Kuvendin e Kosovës do ta kushtëzoj me çdo punë apo projekt që nuk shkon në dobi të qytetarëve apo të shtetit të Kosovës.