Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Berisha nga komuniteti egjiptian: Kërkojmë vëmendjen e qeverisë së ardhshme për arsimin parafillor

Artan Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane (PLE) dhe ish zëvendësministër i Arsimit në qeverinë Haradinaj ka thënë se çelësi i arsimit dhe nevojat më të mëdha që komuniteti egjiptian kanë, është niveli i arsimit parafillor.

Berisha, në Debat Pernime tha se komuniteti egjiptas ka nevojë që të mbështetet në arsim.

“Ne e kemi një problem, si komunitet egjiptas, niveli i arsimit parashkollor. Unë këtu do të kem përqendrim më të madh sepse ky është shumë i rëndësishëm, por duke mos i harruar as nivelet e tjera të arsimit”, deklaroi Berisha.

“Unë kërkoj nga qeveria e Kosovës që të kemi një reflektim dhe të krijohen kushte më të mira që nivelin parafillor. Arsimimi është pikëqëndrim i joni, ne synojmë që edhe në qeverisjen e ardhshme, do të jemi një zë i fuqishëm për fëmijët tanë që të u ndihmojmë. Arsimimi është çelësi për ne”, tha ai.

Sonte përballë Jeta Xharrës në ciklin e debateve zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit do të diskutohet për arsimin.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Frashër Demaj nga LDK, Blerim Gashani nga LVV Lista e Vjosës,   Artan Berisha, Partia Liberale Egjiptiane (PLE) dhe ish zëvendësministër i Arsimit , Qerim Bajrami nga Vakat.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.