Berisha: E kemi thirr drejtorin e AKI-së me pyet a është nga dora e njeriut, sulm terrorist apo ujë i kontaminuar?

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes po diskuton lidhur me zhvillimet e fundit me helmimin në komunën e Deçanit.

Bekë Berisha, kryesues i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, tha se është sfiduar shteti dhe agjencionet e sigurisë, ndërsa kryeministri nuk është këtu.

“Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Sigurisë e kanë thirrur drejtorin e AKI-së me shiku a është nga dora e njeriut a është sulm terrorist apo kontaminim i ujit. Qysh na tha ai është më shumë nga kontamnimi i ujit për shkak të punimeve në Komunën e Deçanit”, tha ai. 

Sipas tij, nuk ka argumente por janë vetëm dyshime deri më tani.

Berisha tha se kanë zhvilluar takim emergjent për diskutim lidhur me zhvillimet e fundit në komunën e Deçanit, ku sipas tij ka pesë ditë që në komunën e Deçanit ka ndodh helimimi i 1434 personave.

Sipas tij, kanë një raport nga QKMF e Deçanit, ndërsa nuk kanë marr raport nga Agjencioni për Menaxhimin e Emergjencave.

“Gjendja e përgjithshme e të infektuarave vazhdon të jetë e njejtë me ditët e kaluara. Tash për tash situata është e menaxhueshme”, thuhet në raportin e QKMF të lexuar nga Berisha.

Sipas këtij raporti sa u përket donacioneve të ardhura nga Ministria e Shëndetësisë, ka mjaftueshëm për 10 ditë nëse situata është e njëjtë.

Berisha tha se ekipet janë në terren duke e kryer punën e tyre.

Ndërkaq, Enver Dugolli, anëtar i komisionit nga LVV tha se është shqetësim jo vetëm i banorëve të Deçanit por edhe i institucioneve. 

“Mendoj që me rastin e Deçanit komuna dhe qytetarët kanë nevojë t’iu ndihmojmë dhe të jemi afër tyre më së paku të bëjmë politikë. Në fatkeqësi dhe gjendje krize të jemi bashkë”, tha Dugolli.

Deputeti i PDK-së Elmi Reçica tha se Qeveria dhe kryeministri duhet të jenë në nivel.

“I vetmi institucion është FSK-ja që ka reaguar me kohë dhe ka angazhuar të gjitha kapacitetet për të ndihmuar qytetarët. Nuk kemi pa angazhim tjetër të menjëhershëm. Është papërgjegjësi totale që kryeministri të jetë për 7 ditë jashtë vendit. Ritheksoj se në çdo situatë normale kryeministri e kish ndërpre pushimin e takimet dhe kish ardh me drejtu vendin”, tha ai.

Anton Quni deputet i LDK-së, tha se jo rastësisht është ngrit këshilli i sigurisë kombëtare. 

Por, sipas tij për ta aktivizuar këshillin është kryeministri.

“Në rrethana të tilla duhet të kihet parasysh që krijohet terren i përshtatshëm i manovrimit të shërbimeve të ndryshme”, tha ai. 

Quni tha se duhet mobilizim më fuqishëm i gjithë anëtarëve pa marrë parasysh partitë politike.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dje në një konferencë ka bërë të ditur se numri i pacientëve të cilët dyshohet se janë helmuar ka kaluar shifrën 1,500.