Bekim Jashari dhe Ramiz Lladrovci kujtojnë sulmin e dytë ndaj Jasharajve në Prekaz

Një delegacion i gjerë i prirë nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari dhe kryetar i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci kanë bërë homazhe me rastin e 22 vjetorit të sulmit të dytë në Familjen Jashari në Prekaz.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari në një konference për media kujtojë momentin e sulmit nga forcat serbe ku rezistencë sulmit i kishin bërë Shaban e Hamzë Jashari.

“Po bëjmë homazhe sot para atyre që na mundësuan që ne sot që punojmë me nder, të punojmë e të zhvillojmë vendin tonë. Para 22 vite, forcat serbe kanë sulmuar tinëzisht, pas syfyrit pasi që në atë kohë ishte ramazan. Pas sulmit janë plagos dy vajza. Ka qenë një luftë 45 minuta Ata kanë shku më qëllimin për të masakruar të gjithë robt. Aty ishin gjyshi[Shaban Jashari], baba[Hamëz Jashari] dhe meshkuj të tjerë që i kundërpërgjigjen ashtu siç e merituan, lanë të plagosur dhe armatimin e pas gjysme ore erdhi edhe Ademi. Kjo ishte edhe një paralajmërim që lufta do të fillojë shumë shpejtë”, tha Jashari.

Homazhe në Prekaz – 22.01.2022/

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka kujtuar kohën kur kanë shkuar për të porositur armatim në Shqipëri për t’i sjellë në shërbim të komandatëve.

“E kam një kujtim të veçantë, pasi që vetëm një ditë mbrapa, jemi organizuar bashkë me bacën Rifë, me vëllain tim Fehmiun, me Muratin me Bekimin, kemi zbrit me Lulzim Jasharin në Shqipëri dhe kemi bë një porosi për armatim që t’i vijnë komandantëve tanë. Porosia është dhënë që për 3-10 ditë që të vijë armatimi. Por komandanti ka rënë në krye të betejës pa pas fatin e marrjes së këtij armatimi për të cilin ne besojmë se po ta kishim atë armatim të cilin ne e kemi porositë do të ishte edhe sot[Ademi] bashkë më familjarë të tij”, tha ai.

Më 22 janar të vitit 1998, në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharëve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.

Edhe pse atë natë, Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi, rezistencë sulmit të policisë serbe i kishin bërë Shabani e Hamza, me nipa e mbesa.

Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998.

Pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin.

22 vite nga sulmi i dytë në familjen Jashari në Prekaz