BE: Çdo vendim që lidhet me urën e Ibrit duhet të merret në kuadër të dialogut në Bruksel

Bashkimi Europian ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Në një konferencë për media, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka deklaruar se hapja e kësaj ure është objekt i dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut, nga viti 2015 dhe viti 2016.

“Hapja e urës në Mitrovicë është në fakt objekt i dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE, nga viti 2015 dhe viti 2016. Dhe pavarësisht përpjekjeve ndër vite të Bashkimit Europian si lehtësues, kjo urë mbetet e mbyllur për qarkullim. Meqenëse kjo është një çështje që i përket dialogut të lehtësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim që lidhet me urën duhet të diskutohet dhe merret në dialog dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve zyrtarë të të dyja palëve: Kosovës dhe Serbisë. Kjo është shumë e qartë”- deklaroi zëdhënësi i BE-së.

Ai tutje ka theksuar se prioriteti kryesor për të dyja palët duhet të jetë zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Pra, të gjitha detyrimet që dalin nga marrëveshjet duhet të zbatohen pa vonesa. E njëjta gjë vlen edhe për marrëveshjen për urën si dhe marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Sepse të gjithë këta hapa të njëanshëm, hapa të pakoordinuar që po ndërmerren,  po e zhvendosin fokusin dhe vëmendjen nga prioriteti kryesor. Dhe, prioriteti kryesor tani për të dyja palët duhet të jetë zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”- ka thënë Stano.

Në paraditen e së premtes, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e urës së Ibrit.

Ndërkohë, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme, përfshirë praninë në urën e Mitrovicës dhe patrullimet në zonën përreth”, ka thënë KFOR-i në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Ura mbi Ibër që nga viti 1999 është kthyer në “simbol” të ndarjes së Mitrovicës, në jug dhe veri.

Kjo urë, në vitin 2011 ishte kthyer edhe në simbol të barrikadave nga serbët lokalë.

Në vitin 2014, barrikada u zëvendësuan me gardhe betoni e me pemë, të cilat u quajten si “Parku i Paqes”.

Në vitin 2016 u hoq ky park dhe u planifikua që ura të hapet për qarkullim.

Në prill të vitit 2023, në Kuvendin i Komunës së Mitrovicës së Veriut është marrë vendimi për hapjen e kësaj ure. Por, ky vendim nuk është zbatuar ende.

Aktualisht në krye të Komunës së Mitrovicës së Veriut është Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut bëhet thirrje për hapjen e urës së Ibrit