Flamuri i BE-se/ Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com

BE: Aksioni në veri, dëshmi se autoritetet e Kosovës u japin prioritet "veprimeve të njëanshme"

Bashkimi Europian ka reaguar në lidhje me aksionin që ka ndërmarrë Policia e Kosovës më 20.05.2024, në zyrat financiare në veri të vendit. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka deklaruar se ky operacion dëshmon se autoritetet e Kosovës i kanë më me “prioritet veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara” sesa bashkëpunimin me miqtë dhe aleatët.

Stano ka theksuar se mbyllja e zyrave të Bankës së Kursimeve Postare Serbe pa paralajmërim apo pa koordinim, bie ndesh me frymën e normalizimit të marrëdhënieve.

“Mbyllja dhe konfiskimi i këtyre zyrave pa paralajmërim apo koordinim paraprak dhe vetëm pak ditë pas takimit të fundit të dialogut, ku u trajtua edhe çështja e ambienteve të Bankës së Kursimeve Postare, është përshkallëzuese dhe bie ndesh me frymën e normalizimit dhe minon mirëbesimin e Kosovës në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve përmes dialogut”- thuhet në komunikatë.

Zëdhënësi i BE-së ka vlerësuar se operacioni i Policisë së Kosovës “i rrezikon” negociatat e vazhdueshme për një zgjidhje për personat e “prekur negativisht” nga Rregullorja e Bankës Qendrore.

“Veprimet e pakoordinuara të njërës prej palëve vënë në rrezik zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Operacioni i Policisë së Kosovës po ashtu rrezikon negociatat e vazhdueshme për një zgjidhje të përkohshme për personat e prekur negativisht nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme”- bëhet e ditur në njoftim.

“Në mungesë të vazhdueshme të alternativave të qëndrueshme, kjo do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera të kualifikuara për transfere financiare nga Serbia”- thuhet tutje në deklaratën e Stanos.

Statusi i të gjitha strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia, sipas tij, është paraparë të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Më tej, Stano i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në tryezën e negociatave dhe të pajtohen me propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga emisari Mirosllav Lajçak.

“BE-ja i kërkon Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në tryezën e negociatave dhe të pajtohen me propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga lehtësuesi i BE-së që u lejon përfituesve të kualifikuar të marrin transfere financiare nga Serbia”- ka përfunduar Stano.

Mbyllja e gjashtë njësive të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, nga Policia dhe Administrata Tatimore e Kosovës, ka nxitur reagime te faktori ndërkombëtar. Ky veprim i autoriteteve kosovare po cilësohet si i pakoordinuar dhe se mund t’i përshkallëzojë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Operacioni i zhvilluar në pasditen e 20 majit 2024, rezultoi me konfiskimin e provave të ndryshme materiale, siç janë: rreth 1.6 milionë euro, mbi 74 milionë dinarë (rreth 630 mijë euro), mbi 19 mijë franga dhe mbi 13 mijë dollarë amerikanë.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha për Kallxo.com, që janë të zhgënjyer që Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime të tilla në zyrat financiare në veri të Kosovës me udhëzim të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe përshkallëzon tensionet”-  thuhet në përgjigjen e DASH-it.

Ky “aksion i pakoordinuar”, sipas zëdhënësit të DASH-it, minon perceptimet për mirëbesimin e Kosovës në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura me Serbinë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Njëjtë, edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka shprehur shqetësimin se veprime të tilla të pakoordinuara përshkallëzojnë tensionet.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka theksuar se ky aksion është zhvilluar me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë, pas komunikimit dhe kërkesës së institucioneve relevante dhe autorizimit të prokurorit.

Sipas tij, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi për të cilin janë zotuar në vazhdimësi.

“Sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi”- shkroi Sveçla në Facebook më 20.05.2024.

Policia kishte bërë të ditur se në objektet e këtyre njësive janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre.

Aksioni në veri i ligjshëm për autoritetet kosovare, zhgënjyes për aleatët ndërkombëtarë