Foto: Kuvendi i Kosovës

Bashkatdhetarët vizitojnë Kuvendin, tregojnë përshtypjet për çështjet politike në Kosovë

Bashkatdhetarët që po qëndrojnë në Kosovë kanë shfrytëzuar mundësinë për të parë nga afër objektin e Kuvendit të Kosovës dhe hapësirat e tij.

Sot gjatë ditës ata kanë vizituar sallën ku mbahen seancat plenare dhe janë takuar nga afër me disa prej deputetëve.

Disa nga vizitorët thanë se i përcjellin punimet e Kuvendit por edhe zhvillimet politike që ndodhin në Kosovë.

Njëri nga mërgimtarët, Ejup Gashi, tha se për çështjet në Kosovë i marrin informacionet prej mediave sociale.

Ai tha se ka qenë i informuar kryesisht për zhvillimet e fundit në veri.

“Sidomos këto rastet qe kanë ndodh në veri në Mitrovicë i kam shpërnda për më i pa jo vetëm shqiptarët por edhe të tjerët që me e pa çka është mirë e çka është keq”- tha ai për KALLXO.com.

Ndërsa, një tjetër bashkatdhetar, tha se hapësirat e Kuvendit të Kosovës i japin rehati pasi ndodhet në vendin e tij.

Albion Krasniqi, 23-vjeçar, teksa i provoi ulëset e Kuvendit, tha se ka aspirata që të ulet në to si deputet i Kosovës.

“Mendoj që një ditë aspiratat i kam me u ulë në këto ulëse që me kontribu me dijen time këtu. Shoh se shumë mjekë po ikin nga këtu, unë mendoj që mundem me kontribu me dijen teme në aspektin shëndetësor”- tha ai për KALLXO.com.

Sipas Krasniqit, në diasporë ka shumë persona që jetojnë e veprojnë jashtë por zemrën e kanë në Kosovë.

E një tjetër bashkatdhetar pati kritika për punën e deputetëve. Sipas tij, ka prej tyre që kanë marrë vota por nuk flasin asnjëherë.

“Më herët parlamenti, kanë qenë do skena të rënda që nuk janë për këtu, tash më duket që po vazhdon njëjtë”- tha Abedin Berbatovci, mërgimtar që jeton në Danimarkë.

Kuvendi i Kosovës edhe nesër do të mbajë dyert hapur për të gjithë bashkatdhetarët që shprehin interesim të vizitojnë Kuvendin.

Ky institucion ka njoftuar se të gjithë ata të cilët dëshirojnë ta vizitojnë Kuvendin dhe të takohen me deputetë, janë të mirëpritur nga ora 8:00 – 16:00.